Lot për ty

Trupi më dridhet kur ta shoh fotografinë
Gjunjëzohem – edhe po t’kem fuqi dragoi
Zili ta kishin edhe yjet e qiellit bukurinë
Për ty engjëlli im loti po m’rrjedh si kroi.
M’u ka tharë zemra pa përqafimin tënd
Qëkur më le dhe ike në botën matanë
Zot i madh, më thuaj; a ka gjë më të rëndë?
Se kur u merr t’birin dhe i lë babë e nanë!
Për nënë dhe baba të qash e t’derdhësh lot
Apo për motër e vëlla në moshë të shtyrë
Kur ndërrojnë jetë dhe ikin nga kjo botë
Është mall e dhembje – por jo kaq mynxyrë.
Por ndarja më e dhimbshme në këtë dynja
kur prindi përcjell evlatin, qenka padyshim
Çdo ditë më mbytë malli zemra qan pa pra
Për ty o drita e syve Veton i dashuri im!
Lumni Nimani