Prof. Dr. Hivzi Muharremi:Artisti me vizione universale e trashëgimi artistike


 

Koncepti për hapjen e ekspozitës së piktorit Hajrush Fazliu, në galerinë e qytetit të Pejës, kryesisht është mbarwshtruar me veprat më cilësore të realizuara gjatë fazave të ndryshme kohore.

Gjithnjë duke i dhënë përparësi elementeve novatore që artisti ka sjellë në ciklet e ndryshme të punimeve e sidomos në këto të fundit.


Shkruan: Prof. Dr. Hivzi Muharremi, Kritik arti

Prof. Dr. Hivzi Muharremi, kritik arti

Autori i ekspozitës me një përvojë të madhe artistike dhe pedagogjike, i cili në asnjë çast nuk e ka ndërprerë ritmin inventiv të krijimtarisë së tij dhe veprat e zgjedhura nga shumësia e cikleve para artdashësve pejan, shpërfaqin tërë shpirtin e ekzaltuar të krijuesit i cili me përkushtim dhe devocion i ka realizuar ato.

Pra, ideja e konceptit tim si kurator i ekspozitës është që portreti krijues i piktorit të jetë si një sintezë, tërësi e gjithmbarshme deri tek gërshetimi dhe spikatja e elementeve më bashkëkohore.
Por, në asnjë moment duke mos e humbur ritmin vijues të cikleve dhe kompozimeve më të hershme krijuese, përkatësisht deri në këto të fundit që janë punuar me një devocion dhe ndjenja shpirtërore.

Në një koncept të tillë edhe tablotë e pikturave të artistit Hajrush Fazliu janë ekspozuar para dashamirëve të artit pejan, të cilët nuk janë vetëm adhurues të artit, por në të vërtet janë njohës të mirë të rrjedhave artistike e që në esencë janë kalitur nga gjeneza e Shkollës së Artit në Pejë, e cila funksionimin e vet e ka filluar që nga viti 1949 e tutje.

Prandaj sot, piktori, profesori i shumë gjeneratave të studentëve të Fakultetit të Arteve -Universitetit të Prishtinës e USHT Tetovës, paraqitet me vepra të pikturave para dashamirëve të artit pejan, kryesisht të realizuara gjatë viteve të fundit. Ku edhe dufi i tij i brendshëm shpirtëror, në këto dekada të fundit reflektoi si shpërthim vullkanik në shpërfaqjen e një numri të madh të tablove të realizuara në një frymë dhe koncept, jo vetëm që ndërlidhet me aktualitetin e kontestit kohor të periudhave të ndryshme historike që jemi duke përjetuar, por edhe në aspektin figurativ.

Kaosi Urban” vaj – 100 X 80


Autori përmes ngjyrës, llinjës, formës dhe dritës e gërshetoi tërë atë imagjinatë të botës së brendshme shpirtërore, përjetësinë koloristike, gjithë atë bukuri ideo-estetike të formës. Pra, në këtë trikonomi shpalosen dhe mbarshtrohen veprat kompozicionale të piktorit që fillojnë nga ciklet e para të portreteve e nudove antike, peizazheve asociative, e deri në këto cikle të fundit të ekspozuara në ekspozitën e 17 shkurtit, datës më të madhe për tërë kombin shqiptar, ditë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga pavarësimi i armikut shekullor.
Prandaj, në këtë ditë feste, në një atmosferë të jashtëzakonshme për qytetarët dhe artdashësit pejanë, hapet ekspozita personale e piktorit, profesorit Hajrush Fazliu, pas hapjes në qendra të ndryshme mbarëkombëtare dhe evropiane.


Andaj, ky eveniment ndërlidhet me solemnitetin e ditës më të lumtur të shqiptarëve me ditën e shpalljes së Pavarësisë të Republikës së Kosovës.
Në këtë ekspozitë autori kryesisht paraqitet me tablotë e pikturave të formave ovale, vezëve, nudove, peizazheve asociative, e veçmas me ato nga vitet e fundit të punuara nga cikli i “Mbijetesës”,“Pandemisë, “Eksodit”, “Fortesa-pertej murit” “Profile dardane” etj.

Ekzodi, vaj – 80 X 100

Në shprehje nga të gjitha kompozimet e këtyre cikleve vjen elementi i ngjyrës, struktura koloristike të cilën autori me dekada e dekada është duke e kultivuar dhe padyshim ia ka arritur ta lartësojë dhe ta shprehë që nga simbolika e deri tek fryma ekspresivo-asociative abstrakte. Gjithnjë duke e zbatuar në këtë gamë koloristike edhe elementin e dritës, e cila buron nga shpirti i ekzaltuar i krijuesit dhe harmonizohet me elemente të tjera të kompozicioneve.

N’fokus – vaj, 60 X 80

Njëkohësisht, Hajrush Fazliu në mënyrë të vazhdueshme e trajton mënyrën e këtyre motiveve, në çdo cikël ato begatohen dhe e vejnë në spikamë hapësirën kolosale.
Lirisht mund të themi ato tredimensionale, të cilat përfitohen në vetë strukturën e ngjyrave, implementimin e elementit të dritës dhe jo vetëm që i definon format e trajtuara figurative, por shkrihen në atë tërësi ngjyrash.

“Përtej murit” vaj, 100 X 90

Duke e vë në spikamë akoma e më shumë raportet e koloritit, kontrasteve të këtij cikli asociativ, me imazhet e vezëve dhe formave të shoqëruara abstrakte të ngjarjeve aktuale me të cilat karakterizohen edhe shumë ndodhi të kontekstit kohor – historik në Kosovë, duke përfshirë edhe tërë globin botëror. Këtu qëndron çështja thelbësore e tërë realizimit të veprave koloristike dhe kompozicionale, të piktorit dhe mentorit Hajrush Fazliu.