Më kot në mesnatë-Vaso Papaj


Më kot në mesnatë

Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej,

Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?

Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej

Dhe veten pa ty ç’e ndiej fillikat.

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,

Kalldrëme, hotele dhe prapë s’po të gjej.

Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër

Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.

Bares përmes parkut si të isha fajtor

Bosforit aromën ia thith gjer në fund

Sa dua të të gjej me qiriun në dorë

Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.

E shtrihem mbi stolin e vjetër në park,

Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh.

Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg,

Po ty me qiriun në dorë nuk të shoh.

E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund,

Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.

Do të desha që flakë e qiriut t’i mundë,

Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.