Mes dhembjesh të padukëshme-Kastriot Fetahu


Mes dhembjesh të padukëshme fshehur në buzëqeshje të atrofizuara, u arratisa edhe këtë herë nga Tirana…

Më duket sikur nuk do të jem më… i vogël tani.

Ne rritemi vetëm kur na mungojnë Nënat.

Do të doja të isha ai “Burri me pantallona të shkurtra” që të kërkoja Nënën.

Një ditë ai e gjeti, ndërsa për mua nuk do të vij më ajo ditë.

Kur shikonte gra të bukura rrugëve të Italisë “Kulaçi” Salvadore thoshte -Ja kështu është dhe Nëna ime, ose ndoshta më e bukur se kjo- dhe ëndërronte se do e takonte atë, Carolinën, si gruan më të bukur të botës…

Ardhja ime në Tiranë këtë herë ishte një mision i pamundur “Salvadorian” ndaj do t’ju lutem dhe ju kërkoj ndjesë të gjithë miqve të mi, të cilët nuk i takova dot, të kem mirkuptimin e tyre për këtë mungesë.

Isha i gëzuar që u ndodha pak orë në shoqërinë e zyshës sime Marika Baçi, (do ti thërres “Nënë” ndonjëherë asaj) dhe edhe një zonje tjetër po aq aristokrate të fjalës si Raimonda Belli Gjençaj.

Kur të dyja në orë të ndryshme bisedonin me mua, më dukej sikur i ngjanin Nënës së “Kulaçit,” Carolina (Alida Valli), tek “Burri me pantallona të shkurtra.”

Unë kam pasur shumë fat, se nuk kam takuar ndonjëherë gra që nuk ishin të bukura.

A ka Nëna që nuk janë të bukura?

Dy romanet e autores Raimonda Belli Gjençaj i paketova në valixhe për në USA së bashku me imazhin e dëshirës se i ngjante edhe Nënës sime në virtytet e saj aq mbresëlënëse.

Një herë kur do të udhëtoja nga Chicago për në Tiranë, një miku im më tha -Ji i lumtur se do takosh Nënën… unë nuk e gjeta dot më në një behar kur shkova.

Edhe për mua tani nuk do të vijë më ai behar… por do të kthehem se kam varrin e Nënës dhe ju, miqtë e mi të dashur!

K.F.