Mimoza Ajdhoni:Një trëndafil


Një trëndafil

Një rreze dielli e pamëshirshme,
më zgjoi dhe sot pa u penduar.
Sikur një zile kishte kurdisur,
doja, nuk doja, për ta degjuar.

Hapat e mia te rënda mal,
nuhatja aromën e kafesë kërkonte,
në tavolinë një trëndafil në vazo
dhe syri im për aftësinê e tij dyshonte.

Çudi, po mbrëmë, nuk ish aty?
Arsyes time shpjegim i kerkova.
Përgjigje s’mora dhe menjëherë
dritaren e hapur përballë vëzhgova.

Aromën tënde në ajër kërkova,
trupit tim, gjurmë nga duart e tua.
Mos erdhe vallë si fllad pranvere
dhe thjesht një puthje le tek mua?

Mos erdhe vallë në ëndrrën time
dhe vrulli i ndjenjave dritaren shtiu?
Një trëndafil në vazo lëshoi
dhe koha mendimet aty m’i ngriu?