Mimoza Eliona Osmani:Marsi


Marsi

E shtyn Shkurtin me ngadalë,

se sythet ndër pemë janë gati,

qielli futi retë në palë

Shirave u mbyllet fati…

Çelin bisqet ,lulet çelin,

yjet po ndriçojnë më shumë,

zemrat ngrohin edhe diellin,

pyjeve nuk u vjen gjumë…

Dehu bardhësi ky shkurt,

Marsi erdhi ngjyra ndryshe,

çdo pranverë, stinë e purpurt,

dashurohen dallëndyshe…

Kthehen zogjtë folesë sërisht

mbretëron jeshilja arat

veshën të verdhën këmishë

mimozat që ndjejnë të parat…

Blegërojnë qëngjat në fushë,

cicërima mbush zabele,

vrapojnë lepujt ndër gëmushë,

dimri shkon i bërë fërtele.

Mbushen fushat margarita,

manushaqja puth livadhe,

nata orët fal tek dita

hëna bëhet më e madhe.

Shihet Shkurti në pasqyrë,

thotë , më erdhi fundi mua,

o Mars me të blertë fytyrë,

edhe në s’më do, të dua…