Mirënjohje amerikane:Nga Namik Selmani


Mirënjohje amerikane

Tregim

Namik Selmani

Ai ishte një emigrant që kishte ardhur para shumë kohësh në Amerikë. Nuk ka rëndësi se nga kishte ardhur. Mjafton që kishte ardhur si nevojtar dhe duhet të jetonte duke punuar. Me pak plaçka në duar e me pak para në xhep. I mësuar që të punonte ndershëm, ai kërkonte të punonte qoftë edhe për bukën e gojës. Po ja që, sipas tij, nuk po gjente punën e duhur. Atë që emigrantët e kohërave të kaluara nuk mund ta gjenin në një zyrë shteti, as në një faqe internet, po me këmbë, me lodhje e natyrisht duke mësuar edhe anglishten qoftë edhe për nevojat e ditës. U detyrua që për pak kohë të kthehej në lypës.

Kishte njohur qytetin me shumë pallate makina, drita, rrugë të gjëra e njerëz të të gjithë kombësive. E njihte jo për bukuritë e tij, po që të gjente rrugë e sheshe ku mblidheshin shumë njerëz që mund ta mëshironin për dorën e tij të zgjatur. Pranë vendit ku ai lypte kishte vënë ca letra të vjetra për t’u ulur. Nga ai vend ai shihte shumë herë edhe lypësa këngëtarë që këndonin sidomos në metro dhe prisnin që ndonjë t’u hidhte ndonjë dollar Po ai nuk dinte të këndonte.

Diku në vendin e tij dallohej në dasma për këngë e pije, po e dinte se amerikanët nuk i pëlqenin këngët që ai këndonte në qytetin e tij të largët pas qiejve, pas oqeaneve dhe pas maleve.

…Një ditë pa një punëtor me dorashka pune, me maska mbrojtjeje që po pastronte rrugën. Trupi i tij i gjatë, i shkathët, dukej se ishte i pak i lodhur dhe fytyra i ishte baltosur dhe djersitur. I shkoi mendja menjëherë se sa turp ishte një punë e tillë po ta bënte vetë.

“A do ta bënte ai këtë punë” -i shkoi në mendje kjo pyetje. Nuk dinte që t’i jepte përgjigje në atë çast. Edhe qeshi pak me vete dhe me një buzëqeshje paksa ironie në fytyrë po vështronte ato që po bënte ai. Shihte lëvizjet, vemendjen, përqëndrimin. Punëtori ballëdjersitur e pa këtë gjest të lypësit, por nuk foli. Kishte punë të vështirë e nuk ishte kohë që të merrej me të tjerë, aq më shumë me një lypës që jetonte me lëmoshë, edhe pse në trup kuptonte se ai lypës nuk kishte asnjë cen në shëndet. Nuk dukej i paralizuar. Nuk dukej me një krah a me një këmbë të munguar. Epo, mendje emigranti. Pas një dite e ndërroi rrugën për të lypur, ashtu si bëjnë shumë të tillë. Një kod i veçantë i lypësve që pasi rrinë pak kohë në një udhëkryq ia mësyjnë një tjetri ku ka njerëz mjete udhëtimi, stacione autobuzësh e trenash, metro, shkolla.

Atë ditë ai pa një burrë të veshur me mjaft sqimë. Kishte vënë një kapele të shtrenjtë. Në duar kishte një kapele që e bënte edhe më fisnik se ishte. Epo ky burrë do të kishte patjetër edhe për atë një dollar të paktën. Ia drejtoi dorën duke i dhënë fytyrës dhe pamjen e mëshirës përdëlluese, me ritin e lypësit. Si për çudi, ai që u afrua dhe nuk bëri ritin e nxjerrjes nga portofoli të një dollari a mbase edhe më shumë.

– A ke qenë dje në rrugën para dy blloqeve duke lypur? – e pyeti befasisht burri me kollaro, bastun e kapele.

-Po, -iu përgjigj lypësi, me një lloj droje se nuk e dinte se ku do ta dërgonte bisedën burri i bukur, i pasur që kishte përpara. -Ti qeshe me atë burrin që po pastronte rrugën. – e vazhdoi atë lumë fjalësh që sikur i ishte vënë në gjoks në sy, në trup, në gojë.

– Dije, sër, se ai burrë që pastronte rrugën me doreza, me djersë në ballë, jam unë që ti më kërkon lëmoshë e më bën që paratë e punës sime qoftë edhe pak, një dollar të ta jap ty. Shikomë mirë të lutem!

– Nuk të njoh. Unë nuk e besoj se do të jesh ti ai që të pashë atë ditë.

-Nuk më njeh ende? – e pyeti.

Lypësi heshti. Ishte një lloj heshtjeje që anonte nga jo-ja e tij. E me një inat të fshehur, po jo me egërsi, burri hoqi kapelen e la në një vend aty pranë bastunin.

-Po tani a më njeh??

– Nuk të njoh, – foli me nuance të pafajësisë lypësi.

Mbase edhe e njohu, po nuk donte që ta shikonte në sy në veten e tij atë humbje Sërish lypësi heshti. Si duket po thyhej para këmbënguljes së tij që i dinte të gjithë detajet e asaj dite.

-Ngrije trupin e mos e përkul! Ngrije trupin e mos u përkul kështu si ai zotëria që sot ia keni shtrirë dorën. Jam unë ai që qeshët dhe e quajtët pak si turp punën e tij. Turp është që të lypësh kur ke mundësi që të punosh.

Futi dorën në xhep dhe nxorri disa kartmonedha me dollarë dhe vazhdoi sërish që t’i fliste:

-Drejtoje trupin! Kjo që po bën tij është turp i vërtetë, por shtroju punës dhe të rrosh me djersën tënde e jo të zvarritesh si tani i zhgërryer e i ulur në ca copa kartonash. Të jesh kështu që as uji nuk të lan dot nga vendi ku rri dhe nga mëkati që i bën ti vetes.

– Lypësi heshti i befasuar dhe në një situatë që nuk e besonte se do i ndodhte një ditë. Nuk kishte forcë që të debatonte me këtë njeri që ishte sa punëtor aq dhe i mençur. Po edhe ca më shumë guximtar në atë që thoshte e në atë që bënte. Jo, e kishte të humbur betejën me të që atë ditë kur kishte menduar keq kur e kishte parë atë. Më shumë se dollari të nesërmen ai e la rrugën dhe gjeti një punë të tillë që donte shumë lodhje, po jo të lypësit. Sa herë që kalonte te rruga ku ishte për herë të fundit, lypësi ulte kokën dhe shtrëngonte dollarët që kishte në xhep. Dollarë që përherë e më shumë pakësoheshin në xhepat e tij. Mbase të tjerët që mund të kishin edhe më shumë para se ai, nuk i jepnin nuk kishin guximin e burrit pastrues, po mendonin si ai të gjithë.

Kishte kohë që kishte nisur një punë të rëndë, po që kishte dhe shumë djersë balli e lodhje duarsh e këmbësh. Tashmë në xhepa kishte paratë e tij. E dinte se ato vinin erë djersë, ashtu si të atij burri që nuk e pa më në atë qytet gjigand. Do të donte që ta takonte sërish jo që të matej me kapelen e bastunin që mund të blente një ditë me para djerse. Po donte që të mësonte të tjera gjëra që ai nuk i dinte ende për të jetuar me dinjitet në atë vend të madh që quhej Amerikë Jo, jo, e kishte me vete fytyrën e tij, zërin e tij, hapin e matur, kapelen. Edhe ai kishte blerë një kapele të tijën që e bënte pak amerikan në veshje. Atëherë e kuptoi se Amerika ishte më e bukur se sa e kishte menduar

Më e bukur se sa i kishin thënë atje në vendin e tij. Kishte më shumë drita që ia ndrinin jo vetëm rrugën, por edhe të ardhmen… E bashkë me mirënjohjen që do ia thoshte sërish me fjalë zemre atij burri që as emrin nuk ia mësoi dot, do i shprehte mirënjohjen mbarë këtij vendi që po bëhej streha e re e jetës e punës. Një jetë që kishte lumturinë e djersës së ndershme të ballit të tij.

Boston, 7 shkurt 2020