Monologu i Penelopës-Seti Pezaku Vladi


Seti Pezaku Vladi

MONOLOGU I PENELOPËS

Erdhi dhe kjo pranverë e dhjetë

oborrit të sarajit jetim,

pa ty, trimi im, Odise!

Dimër e kallkan mbeti zemra ime

ngujuar mbi këtë pëlhurë të bardhë,

thurur me fije ankthi,

rrethuar me lakenj djallëzorë,

acarin i shtojnë shpirtit vajtor.

Dora tezgjahut punon,

mendja tek ty, dashuria ime,

derdhet e copëtohet si rrëke me vrull

në tërthoret malore.

Sytë e mi u thanë horizontesh det,

flokët,

fjolla-fjolla po çelin lulet e bardha.

Ah, Helenë, Helenë,

ditëzeza, fajtore pa faj!

Bukuria jote penelatë ylberi,

shigjeta tradhtare i syrit të ndezur

u bë mallkimi yt,

mallkimi ynë,

fitili që ndezi zjarrin,

hapi dyert e mortit.

Krenaria idhnake greke e dogji Trojën,

lavdi e saj ndritur mbi kodër

mbeti një ëndërrinë;

hipur mbi të zezën karrocë

Akili vështronte korbat mbi vdekjen dystinë.

Flokëverdha greke fatkeqe!

Vellon e purpurt të dashurisë

ta dogjën vringëllimat e shpatave,

shtati yt lastar

veshi mantelin e urrejtjes,

veshi qarjet e djepeve pa baballarë,

vajtimet e këngëve të pakënduara,

buzëplasjen e arave të papunuara,

litarin e lotëve të vjeshtave.

Shikoje mbretin plak Priam me përroin e vajit syve lëshuar

mbi trupin e të birit Hektor

coptuar nga dora mistike e Akilit!

Ti dhe Troja, Helenë,

sinonim i njëra-tjetrës,

viktima të njëra-tjetrës,

flakë e dashuri

përvëluar të dyja,

mbetur tragjedi.

Dhjetë vite nga lufta kaluan.

Nuk di për fatin e tim zoti, Odise,

rron në jetë, apo tokë e huaj është bërë?!

Ëndrra të liga më sillen si re të zeza!

Hyjnitë,

Më thonë se ai do të vijë, mbi karvane tallazesh sfilitur lundron,

drejt Itakës po rend,

drejt meje që po e pres

sosur e këputur mbi këtë pëlhurë shprese,

fustani im i bardhë për ty, Odise,

apo, m’u thatë goja,

qefin i trupit tim do të jetë!

@Seti Pezaku Vladi

(Fotografia marrë nga Google)