Natë-Fatmir R Gjata


Një kopsë e tërbuar,

loz me ca mornica,

mbi gjirin e ndrirë

Tantellë e lëshuar,

bën ojna të shtira,

më sheh me dëshirë.

Petal trëndafili,

më zgjon ca aroma,

mbledhur në kujtesë

Buzë e shkrumëzuar,

nuk më lë të rroj,

s’më lë as të vdes.

Larg po zgjohen yjtë,

por të fle nuk dua,

është natë për të tjerë

Më mjafton qiriri,

të shoh flokë të gjatë,

frymën për ta ndjerë.

Dhe mbështetem thjesht,

mbi trupin e shtrirë,

symbyllur për pak

Është natë e pafund,

dhe njëherë akoma,

të mbetem pa gjak.