Ndrinte Xhevria, bënte kuvend-Sheqere Sina


Nga fshati Pirrë;

-Nëna mbretëreshë, Xhevrie.

Vajzë e bukur shtatëgjatë,

mësuese, aty në fshat.

Mësonte fëmijët,

burrat dhe gratë…

Fjalët e dijes i zinin vend.

Ndrinte Xhevria në kuvënd.

I lartësoi mësueses emrin,

dhe të parin, të parin, kishte nderin

Vëlla e motër, gjithmonë pranë,

i përqafon e pranë i mban;

Shkëlqejnë të dy, ata, në shkollë.

Rrinë pranë, siç rri një degë me mollë.

Ishte e rrallë, nënë Xhevria,

i qeshte fjala përmbi buzë!

Dukej se qeshej Shqipëria,

mbi syrin që s’errësohej kurrë.

Nënë Xhevria ishte e punës.

I ndrinte jeta në çdo fjalë.

S’e linte punën të endej rrugës.

Ish nënë Xhevria, mësuese e rrallë!

Në jetë kish peripeci e dhimbje,

Furtunë, kish jetën gjer në fund!

Ajo u bënte ballë rrufeve!

Ajo qe burrë që kurrë s’u tund!

Qe mëmë që lindi katër djem,

te, shkonte fushës, mbillte jetë.

Arnonte natën cep më cep,

në ag si princër vishte djemtë.

Në fshatin Pirrë, e njohin nënën,

e dinë kush është plaka Xhevri.

Në pashtamall priste fëmijën,

dhe pse s’kish shkollë si mamì

Si borë malesh, ndriste shamia,

me dy rrëke gërshetash, ndritur.

Ajo ish Zoti, ish Qeveria,

që vetë vendoste se ç’ish e bukur

Kaluan breza, ç’mbet në kujtesë?

E dini vallë? Dhe sot bëjnë be!

Mëmë Xhevria, si mbretëreshë:

Në fis dhe fshat është Myzeqe!