Rudina Muharremi Beja

Rudina Muharremi Beja
NDRYSHK!
Çirret rëra pareshtur
plugjet e hekurt kanë gjithmonë uri-etje
e duar të padukshme ujdisin netëve dantellat e deteve,
ndërsa mokra e sëmurë
Bluan pa pushim bollgur…
Gërxhe e brigje pa fotosinteza,
shpalosur në pergamena
Si trofe me vlera…
Ndërkohë pikëllimi tej thellon hone,
mjerimin gremis morisë së turmës
e territ që bie,
mbi shpinë i hedh një mal harresë…
Ka ftohtë një nënë,
sëpatën – oborrit të lagësht –
e ha ndryshku!
Ka ikur biri…
e një fëmijë që ka uri,
mjekërdridhur mezi mban një lot
që varet kërcënueshëm e më tremb
e me ca sy që shpojnë,
ndizen e lypin dije…
Njerëzia …
ah, njerëzit,
Vëmendshëm vrojtojnë erën
nga të kthejnë gunën…
Fali Zot, se s’dinë çka bëjnë!