Në këtë hapësirë-Nikollë Loka


Nikollë Loka

Në këtë det ka të ardhme e ka kujtesë,

ujëvara që bien e një forcë që lëviz ujin,

ka liqenj si parathënie,

e lumenj si parantezë,

që pushojnë mbi dallgë të trazuara.

Në këtë breg që grryen kohë e hapësirë,

ka shpella dhe humnera sa të duash,

ka ngutje për të ikur,

nxitim që të bën me qesh,

vullnet për t’u larguar.

Në këtë horizont pa asnjë domethënie,

ka hapësira bosh që ngjallin frikë,

ku lundrojnë dallgë të shpirtit dhe të mendjes,

ka lumenj pa shtrat,

dhe djerrina të pa dritë.

Kam njohur një njeri…

Kam njohur një njeri që vetëm qeshte,

pastaj pendohej si i zënë në faj.

Kam njohur një njeri që gëzohej ashtu kot,

dhe kurrë nuk shpjegohej,

pse bota shpërthen në vaj!…

Kam pyetur veten si e njeh ai tjetrin,

ndoshta të kthyer përmbys!

Dhe pas çdo pyetje,

kam marr dhjetra përgjigje,

që s’të bindin hiq.

Kam pritur,

që një ditë dhe ai ta pyeste veten,

ashtu kot dhe publikisht.

Kam pritur gjatë se mos pendohej,

dhe në heshtje e kam parë botën

të zhveshur lakuriq!

Përmbytja nis nga sytë

Mbi djerrinat e shpirtit je ndalur,

çfarë po pret ende nuk e di.

Mbi kohën tënde djerrë

ra dhé i shkelur,

mërzia e kthyer në breshër,

pastaj tri ditë e net ra shi….

U përmbytën djerrinat e etshme,

ujë i lagu të gjitha hapësirat boshe,

në moçal u kthye koha deri më tani,

mbijetoi veç lakmia,

s’di se si,

e strukur në një qoshe.

E ti me sytë e unshëm

vazhdon ta soditësh botën,

teksa pret një ardhje të dytë…

Në një valë të dytë përmbytje

do të humbë dhe ëndrra jote…

Përmbytja nis nga sytë.