Në pritje të vdekjes-Hysen Kica


tregim

Hyra pak si pa kujdes në zonën kufitare por më kishin diktuar spiunët dhe kishin lajmëruar. Shumë shpejt më kishin rrethuar dhe më britën.

– Ndal!

– Ndal mos lëviz!

Duart lart!

Nuk bëra asnjë kundërshtim dhe mu turrën një tufë policësh e ushtarësh. Njëri nga policët më qëlloi në kokë me qytën e pistoletës, një tjetër më qëlloi me shqelm dhe më shtrinë përtokë. Pastaj më lidhën duart pas shpine dhe më futën në gazin e degës,

Ndjehesha tepër i shkatërruar dhe i etur për një pikë ujë por nuk kisha asnjë të drejtë. Isha një i arrestuar. Fillimisht më futën në një dhomë ku më prisnin dy civilë dhe më morën në pyetje duke përdorur të gjitha mënyrat që u kishin dhënë rezultate në punën e tyre fisnike. Më bënin pyetje dhe më godisnin në bark me grushta. Përkulesha nga dhimbja por tjetri më ngrinte duart e lidhura pas me pranga spanjolle. Ato pranga kishin cilësi që të shtërngonin më tepër kur i lëvizje dhe dhëmbët e tyre metalikë më nguleshin në mish. Unë bëja të drejtoja trupin dhe përsëri më jepnin një grusht në bark. Nuk mbaj mend sa herë e përsëritën këte rit por kujtoj se duart e mia nuk i ndjeja më dhe isha shtrirë për tokë. Më vonë erdhën dy policë që më kapën nga krahët, më ngritën dhe më morën pothuaj duke më zvarritur. Më kishin çuar te biruca.

– Ju lutem më sillni pak ujë! – thashë unë para se të më futnin brenda.

Ndërsa po më bënin kontrollin një polic më kishte sjellë ujë. Kishte në dorë një kavanoz me pak ujë dhe të përlyer me gjak.

– Pije! – më bërtiti dhe më dha kavanozin.

Padashje shikova edhe këmishën time ku gjaku i rrjedhur nga koka kishte lënë një vragë me gjak të tharë por askush nuk shqetësohej për plagën në kokën time dhe për gjakun që më rrjedhte. Nuk e pija dot ujin megjithëse kisha etje të padurueshme.

– Pije! – më bërtiti përsëri polici por më shpëtoi një shqelm i fortë nga prapa.

Një polic më kishte goditur dhe isha shtrirë përtokë, më kishte shpëtuar nga duart dhe ishte derdhur në çimento kavanozi i mbushur me ujë të përzierë më gjak njeriu. Polici më vuri këmbën e tijë në qafë, më mëshoi më gjithë forcën e tij kafshërore dhe përsëri bërtiti.

– Armik i poshtër. Do ta lëpishë më llapë ujin që derdhe.

Shpëtova vetëm kur më mbyllën në qeli. Mi kishin hequr prangat nga duart dhe më kishin hedhur mbi një batanie të pistë aq sa ishte bërë si lëkurë . Unë mundohesha ti fërkoja duart njëra me tjetrën dhe kisha harruar të mendoja. Isha shtrirë mbi ate pisllëk të qelbur. Papritur u hap kapaku i dritares së vogël që kishte dera e birucës.

– Çohu! Armik i poshtër, – më briti polici matanë derës.

Kështu e fillova jetën në birucë dhe pak nga pak fillova të mësohem me këtë mënyrë të re. Më duket se u bëra shumë i kujdesëshëm për çdo gjë dhe, përveç kohës që u kushtoja mendimeve për njerëzit e mi të dashur, mendoja edhe për problemet që më kishin sjellë deri këtu. Një ditë vura re te nevojtorja e birucave se, në dërrasat e vjetra të kasës së derës, sikur dukej një cep letre. U mundova ta nxjerr por nuk e kapja dot. Më duhej një gjë e mprehtë, një majë thike, një gjëlpërë ose… ndoshta edhe një ashkël e hollë. Më bëri aq shumë kurioz ai cepi i letrës sa disa herë harroja edhe hallet e mia duke menduar si mund ta nxirrja. Mundohesha të nxirrja një ashkël të hollë nga kasa e derës së birucës sime por nuk nxirrej me thonjë.

Një ditë polici më dha një copë brisku nga ato të rrojes që të prisja thonjtë dhe munda të përgatis një ashkël të vogël me majë të mprehtë para se polici të ma merrte ate copë brisku të ndryshkur.