Netët me hënë-Petro Sota


————————–

Nata vinte e shoqëruar me hënë,

Ndërsa unë e prisja diku i fshehur,

Vajzën sy gështenjë e flokargjënd,

Me gërshetin thurur bukur krehur.

Vite më parë, kjo më kish ndodhur,

Kur çdo shtëpi kishte nga një mullar,

Dhe pranë oxhakut, rrinin të lodhur,

Me erën mollëve, të vjeshtës së parë.

Me erën e mollëve dhe ajo më vinte,

Me sy të trembur, porsi një drenushë,

Por hëna e plotë, në fytyrë i ndrinte,

Kur lehtaz e puthja, vetëm në gushë.

Dhe ikte me vrap, në gushë e puthur,

Por zjarrin të ndezur, ma kishte lënë,

Ajo natë vërtetë, kish qënë më e bukur,

E shoqëruar në qiell, me yje dhe hënë.

Erën e mollëve dhe unë e kisha marr,

Kur vajzën e putha, me gjithë pasion,

Por hëna kish rënë, sikur të qe e vrarë,

Mbrëmja prandaj, e ftohtë më vështron.

Sa netë pa hënë, herë herë kam pritur,

Si një zog qyqar që pret qyqen e vet,

Për ato mbrëmje fatkeqe, se kam ditur,

Se do të bëja vargje, si të isha një poet.

Netët vjeshtake, me gjithë aromë vinin,

Dhe vajzat qëndisnin, dantella për pajë.

Ndonjëra fshehurazi, lexonte Eseninin,

Nga vargjet prekej, e me lot do të qaj.