Ngado të shkosh…Leonard Pipa


Ngado të shkosh,
në kopshte të bukura,
Dete të marrë,
Mëngjeseve,
Mbaje në xhep një shami të kuqe,
Të fshish diejt e harlisur
nga rubini i buzës,
Me pak freski atdheu!

Ngado të fluturosh,
Të prish udhëtime zogjsh shtegtarë,
Mbaje në xhep një pëndë kuq e zi,
Si zog Shqiptarie!
Se atije lart në qiell e dinë,
Që je pas ardhës hyjnish.

Kur të të pyesin për emrin e nënës,
Folu përmallshëm për tokën e bekuar,
Ku yjet janë njerëz,
Dhe njerëzit yje!
Folu për Ilirinë,
Statujat e grave lakuriq,
Që i marrin frymën nëntokës!

Ngado që të shkosh,
E nëse nuk ke mall për ne,
Skllevërit e urritur të mbrëmaneve…
Kujtohu për degën e manit në Epir,
q’t’i zgjaste kokrrat e papjekura në dritare,
Të kafshoje padurimin tënd!

Kujtohu për dashuritë
e zhgaravitura në mur.
Për vajzat e virgjëra në Dodonë,
Që ne i quajmë plaka!

Në zemra nuk të rreh si gurët me kalldrëm të qytetit tonë,
Mbaje me vehte një gur,
të bëhet zemër.

Po unë kot them… e mira ime,
Ti gjithmonë kujtohesh!