Nga”Harmonitë poetike” të Lamartinit-Përktheu: Gëzim Baruti


Nga “Harmonitë poetike” të Lamartinit, nxjerrë prej librit të përkthyer prej meje “Nga Shatobriani dhe Lamartini” po postoj poezinë e mëposhtme.

Perëndimi

Dhe deti qetësohej si një urnë e zbardhuar

ulet mu në çastin ku vatra ësht` venitur,

Dhe duke hequr bregut tallaz`n e shkumbëzuar,

Në shtrat`n e tij të madh hynte i nanuritur;

E ylli që binte nga reja në re i mpakur

Mbante përmbi valët glob`n e tij që s`rrezatonte,

Pastaj zhyste përgjysmë imazhin e përgjakur,

Si një anije në zjarr që fundoset n`horizonte;

Dhe gjysm` e qiellit zbehej, dhe një e lehtë puhi

Shuhej n`at` vello, e patundshme e pa u ndierë,

Dhe hijet rendnin, e nën ngjyrën e tyre gri

Gjithçka rreth qiellit e ujit shuhej përnjëherë;

E n`shpirtin tim, që po ashtu zbehet, vrerohet,

Zhurmat e k`saj bote binin me ditën, n`erë,

Diçka përbrenda meje, siç në natyr` shikohet,

Qante, vuante, lutej, bekohej herë-herë!

E, veç drejt perëndimit, një portë e shkëlqyer

Linte t`dukej dritën n`flukse t`arta t`vallzonte,

Dhe reja e purpurtë dukej si tendë e ngjyer

Që një oxhak t`paanë, pa e shuar, mbulonte;

E hijet, erërat, dhe valët e t`thellit hon,

Drejt një qemeri t`zjarrtë dukej se shkonin vrik,

Ashtu si dhe natyra e gjithçka q’e gjallëron

Dritën duke humbur nga vdekja kishin frikë!

Pluhur`i mbrëmjes atje prej toke ish n`fluturim,

Shkuma në tufa t`bardha mbi dallg`atje valvitej;

E vështrim` im i gjatë, padashur, me trishtim,

Edhe pse lagur lotësh, i ndiqte e nuk mërzitej.

Dhe gjithçka zhdukej; e shpirt` im i cfilitur

Mbette zbrazur, njësoj me horizontin e mbuluar;

E pastaj tek ai rritej nj`mendim fort i ngritur,

Si një piramidë mes shkretirës ndërtuar.

O dritë! ku shkon ti? Glob i shterrur nga flakët,

Ju re, erëra, valë, për ku pra rendni ju?

Pluhur, shkumë, natë; ju,syt`e mi, shpirt` im i vakët,

Thoni, nëse dini, ku shkojmë të gjith` kështu?

Te ty, Gjithësi, për t`cilën ylli ësht` një xix` e zbehtë,

Ku nata, dita, shpirti, arrijnë fundin që dihet!

Batic` e zbatic` hyjnore e universales jetë,

Oqean i gjer` i Qënies ku e gjitha shkon përpihet!