Një dashuri hyjnore po bën planin e saj-Llesh Gjoka


E epërme është kjo madhështi dritash

Bukuri e virgjër që rezonon tokën

Nuanca qiellore që lajmojnë festë

Se diçka e madhe kishte lindur

E do të na mbështjellë me një vello

që rrezaton gazmimin tonë.

E pres bashkë me të tjerë njerëz

në ndrrimin e viteve

ndërrohet edhe lëkura jonë.

Po, po, më të rinj do të jemi

rrugës së një besimi në Krisht

Ithtarë të ëndrrave tona që s’u shuan

Këngëtarë të shpresës ripërtëritëse.

E epërme është kjo fuqi që na bën të falim

Që na bën të ngushëllojmë

duke ngritur portikun e një kështjelle humane.

Dhe në hyfshim brenda saj do të bëhemi mbretër.

Po, po mbretër

me spektrin e mirësisë që kurrë s’do ta lëshojmë.

Sepse një dashuri hyjnore po bën planin e saj

Do të na prekë në ballë të gjithëve.

Bekim për ripërtëritjen tonë prej Ungjillit

Vepër qiellore prej lutjeve tona.

Prandaj mos rrini të mpirë ditëve të ftohta.

Manualin e vdekjes mos e hapni kurrë.

Sepse udha e rikrijimit është udhë e gjatë

Atomet e trupit tonë po lëvizin drejt jetës

Ti vetëm mendo pozitivisht

Një kolonë mermeri është besimi ku mbështetesh

Një meodi e ëmbël janë fjalët që i themi njeri – tjetrit

nën flatrat e paqes.

Një shenjë e këndelljes në kopshtin që mbjell

janë bimët me gjethet e reja.

Mos u trishto!

Mos e humb ti fillin!

Tejzat e shpirtit shtërngoji fort.

Mos u druaj nga qasjet e trishta që jeta ofron.

Sepse

Një gjë është e sigurtë

Një gjë është universale

Një DASHURI HYJNORE po bën planin e saj.