Një dimër mes dimrash-Vaso Papaj


Secili ka në mendje një dimër që s’harrohet,

Kështu e kam dhe unë një si kujtim.

Në këmbë ai, mes librash rri, shtrëngohet

E s’do më vinte mirë, ta shihja si jetim.

Ndaj dhe një ditë, si një udhëtar i mirë,

Që nuk le vend pa shkuar e pa parë,

U ktheva prap atje, tek koha e vështirë:

Të bëjë shoqëri me të, përkulur në altar.

I hoqa, rrotull tij, lëpirës, gënjeshtarë.

Ngjitur e shtrënguar, harruar nga kritika.

Dhe poezi i solla, ta mbanin ëndrrimtar.

Me to të dashurohej pa frikë nga polemika…

Ishin kohë të tjera, e keqja s’kish të sosur.

T’ia thuash këtë rinisë, sot as të beson.

Njëzet vjet në oxhak, kish mbetur i murosur.

E prapë, sesi me shkas, burgheshtja e rrethon…

Piramidë e vjetër, sa vështirë të shembet!

Idhujt janë idhuj, rrojnë gjatë për inerci.

Po koha, kjo gjykatëse, që askujt s’i trembet,

Dimrin tim një ditë do t’nxjerrë nga kjo qeli…