Një trëndafil-Mimoza Maria Ajdhoni


Një rreze dielli e pamëshirshme,

më zgjoi dhe sot pa u penduar.

Sikur një zile kishte kurdisur,

doja, nuk doja, për ta dëgjuar.

Hapat e mia të rënda mal,

nuhatja aromën e kafesë kërkonte,

në tavolinë një trëndafil në vazo

dhe syri im për praninë e tij dyshonte.

Çudi, mbrëmë nuk ish aty?

Arsyes time shpjegim i kërkova.

Përgjigje s’ mora dhe menjëherë,

dritaren e hapur përballë vëzhgova.

Aromën tënde në ajër kërkova,

trupit tim, gjurmë nga duart e tua.

Mos erdhe vallë si fllad pranvere

dhe thjesht një puthje le tek mua?

Mos erdhe vallë në ëndrrën time

dhe vrulli i ndjenjave dritaren shtyu?

Një trëndafil në vazo lëshoi

dhe koha mendimet aty m’ i ngriu?