Nudo-Fatmir R Gjata


Fatmir R Gjata

Shkonte zhveshur nëpër rrugë
me një dritë perëndie
Edhe s’kishte as në muzg
mbrapa vetes asnjë hije
Të mahnitur e shikonin
djemtë e vajzat pa pushuar
Kur po ecte kokëulur
mbushur frymë të ngazëlluar.

Kush e pa aspak mendoi
për lëkurë të ndrirë mëndafsh
Porse mbetën në ekstazë
mbushur gjiritë me afsh
Nuk ish femër e zakontë
porse mbillte bukuri
Edhe prift ndërpreu meshën
se kish zbritur Shën Mari.

Gjer i pari që e ndeshi
u përkul në gjunjë papritur
Më beko i tha një tjetër
duke parë në sytë e ndritur
Dhe më pas i gjithë qyteti
vajti pas në proçesion
Gjithë të mjerë e të vobektë,
dhe të verbërit më vonë.

Edhe s’doli as kërkush
qoftë me bibël a kuran
As dhe hoxha mjekër bardhë
as dhe prifti me temjan
Dikush vajzë tregoi me gisht,
është bërë për dashuri
Ndërsa printe para tyre
duke parë me ëmbëlsi.

Dhe të nesërmen u zgjuan
nga një ëndërr e pa parë
Pa kujtonin ditë të shkuar
duke fshirë ca lotë të tharë
Nëpër rrugët e qytetit
njerëzit ecnin në kllapi
Se një ditë me sytë e tyre
kishin parë një Shën Mari.