O ëndërr e pashuar…Eralda Cuko


Në hijen e natës,një yll m’rri i ndritur,

si një hije e vjetër malli më kaplon…

Të bukurat kujtime ende s’më janë shqitur,

thellë një pikëllim nē zemër më sëmbon….

Rrugicat e zbrazura përshkoj vetmuar,

të mallit ëndrra përshfaqen papritur….

Si puhizë e ngrohtë vijnë për t’më rizgjuar,

në gjurmët e tyre tash eci e sfilitur….

Malli m’pushton si valë e erës së ftohtë,

sjellë copëza kujtimesh të ëndrrës së pashuar…

Një i nxehtë lot një tjetër lot pason,

më zhurit si vapa ,djegur përvëluar…

Dhe koha vrapon mbrëmja serish vjen,

në hijen e natës ndjek prapë yllin tim…

Malli djeg e rritet porsi yjet në qiell,

si flaka më shkrumbon gjer n’agim…