Otranto
Otranto!
Lum i hidhur je.
Me lotë hëne qendisur,
Në barkun tënd ç’ nuk ke:
Peshq me shuka flokësh gostisur.
Peshkaqen’ mishngopur, hazdisur.
Ësht’ kohë e bollëkut :
E krisur… E krisur…
Bare e motele po mbijnë:
Si miza dheu kudo po lëvrijnë…
Me vello të re, nusja plakë e mbështjellë:
Dërgata e fundi që lindja na sjell.
Kalon këtej dhe vdekjen mbjell…
E ne të tjerët bëjmë sehir,
Ditë e natë, kafè duke pirë.
Kafè të mbërdhirë…
Po përse, përse,
Janë kthyer dallgët tabut dhe qefin?
Ah, vendi im, vendi im …
Ti s’njohe kurrë përkëdhelim.
