Përsiatje rreth romanit “PRINCESHA MERI” i shkrimtares znj. Elhame Gjyrevci-Nga Zekerija Idrizi


Shkruan: Zekerija Idrizi

Romani më i ri i shkrimtares znj. Elhame Gjyrevci, më ka lënë pa tekst nga shumë pikëpamje, si për nga tematika që shtjellon, ashtu edhe për nga magjia narrative si ajo e ndërton tërë rrëfimin e saj prozaik nga fillimi e deri në mbarim. Ajo e ndërton në mënyrë magjike dialektikën jetësore të një fëmije, respektivisht, metamorfozën e saj nëpër kohë, duke filluar që nga lindja e deri në martesë. Në këtë rast, ky fëmijë është vogëlushja shqiptare me emrin Meri, të cilën autorja e ka përzgjedhur si kryepersonazhen e romanit të saj, e njohur me nofkën përkëdhelëse “Princesha Meri”.

Gjuha e romanit është mbarështruar e mirëndërtuar me plot ngrohtësi e magji rrëfimore, madje dhe me një gjuhë sa të thjeshtë e të qartë aq edhe tërheqëse, sa e bën për vete cilindo lexues. Ky stil narrativ më pushtoi dhe mua si me magji gjatë tërë kohës së leximit … Akoma më thellë më pushtoi përmbajtja dhe gjitha mesazhet mjaft domethënëse që i ngërthente në brendi të rrëfimit ky roman. Që në fillim mund të jap një konkluzion të përgjithësuar: ky roman ka ngritur mjeshtërisht në piedestalin më të lartë pozitën e femrës shqiptare në të gjitha segmentet dhe stadet e zhvillimit të saj: si një fëmijë engjëllor me tiparet më fisnike njerëzore dhe si një vajzë tipike shqiptare që respekton fanatikisht doket e traditat e moralit të familjes, të farefisit dhe shoqërisë në të cilën jeton; si një bijë që shpërfaq në kulminacion dashurinë për prindërit, gjyshen dhe gjyshin, si dhe për të motrën dhe vëllain – e gatshme në çdo çast të flijohet edhe deri në vdekje për ta; si një nxënëse brilante e mjaftë inteligjente – e cila shkëlqen në gjitha fazat e zhvillimit të saj edukativo-arsimor dhe artistiko-letrar; si një fëmijë jetim që, edhe përkundër mërzisë së thellë që ka për mungesën e prindërve, bart dinjitetshëm mbi shpatulla barrën e mirëmbajtjes së shtëpisë e të familjes; si një heroinë syshqiponjë që sfidon, reziston dhe lufton fyt më fyt me bishat e egra të malit dhe me “njerëzit” bisha, demonë në tokë (me maskarenjt) – një femër e fisme që lufton pakompromis gjitha dukuritë negative e devijante në shoqëri, si dhe moralin e zvetënuar e të degraduar në trajtat më perverse në një shoqëri moderne o post-moderne; si një mësuese pedagoge dinjitoze që shkollon dhe edukon cilësisht brezat e rinj; si një artiste e talentuar që favorizon dhe ngrit ngrehinat e artit e të kulturës kombëtare në shoqëri dhe si një vizionare që me idetë e saj revolucionarizon çdo pore të shoqërisë, komunës dhe shtetit.

Pikërisht këto veçori – që kaq qartë janë përfshirë brenda rrëfimit, pandeh unë, do ta kualifikojnë këtë roman të ardhmen ndër veprat me peshë në analet e letërsisë sonë kombëtare.

Ajo çka mua si teolog më bëri një përshtypje të thellë spiritualisht, veçoj, është karakteri i një besimtareje par exelans (të shkëlqyeshme) i kryepersonazhes Meri, besim ky të cilin ajo e shpërfaq kaq fuqishëm si në rrethana gëzimi e hareje ashtu, madje veçanërisht, edhe në rrethanat më të rënda e më të pikëllueshme të jetës. Madje-madje, do vënë theksin në faktin që ky besim i saj i thyen ata kufijt e dogmatizmit dhe fanatizmit fetar, që rëndom shpërfaqen në trajta sterile, “anti-jetë”, ndër qarqe injorantësh religjiozë. Përkundrazi, Princesha Meri ka një botëvështrim tejet progresist kundruall besimit, duke vënë vlerat sakrale e spirituale në shërbim të familjes, rrethit dhe progresivititetit të gjithëmbarshëm njerëzor.

Princesha Meri vëndon kontakt rregullisht me Zotin në gjitha rrethanat më të rënda e më të pikëllueshme që e godasin në jetë: edhe kur në moshë të njomë tetë vjeçare i vdes nëna, edhe kur në përleshje fyt më fyt me ariun i plagoset rëndë babai, edhe kur moti i ligë e vërshimi i lumit ia rrënojnë shtëpinë, edhe kur i vdes i shtrenjti baba, edhe kur është e detyruar të lëshojë vendlindjen e të shpërngulet në qytet për të vazhduar jetën në shtëpinë e gjyshërve të saj, edhe në rastin kur me dhunë mëton ai maskarai ta rrëmbejë në rrugë për ta martuar dhunshëm me të birin e tij. Po, por ajo do vëndojë kontakt me Zotin edhe në kushtet e rrethanat më të lumtura të jetës së saj, thjeshtë edhe në rezultatet më kulmore të karrierës së saj. E brumosur që në vegjëli me një edukatë e arsimim të shëndoshë familjar, kombëtar e njerëzor, Princesha Meri do tregojë me shumë sens e takt shpirtin e saj racional e universalist duke krijuar një ekuilibër fin në mes të shkollës, komunës, rafinerisë së natës dhe kishës në fshatin e saj të lindjes, pra duke krijuar një sintezë të përkryer në mes të sekularitetit-laicitetit dhe religjionit. Dhe këtë kualitet dijnë ta krijojnë ata/ato që kanë atë logjikën intelektuale të sinkretizmit filozofik, do thosha. Një këso mendësie konstruktive ajo e shpërfaq në gjitha rastet me peshë vendimmarrëse në fshat, kur si pedagoge e shkollës organizon kontakte e mbledhje të rregullta me bashkëfshatarët, me prindërit e nxënësve të saj dhe me priftin patriot e shpirtmirë të kishës së fshatit, madje-madje edhe në gjitha kontaktet e saj me organet e pushtetit vendor në qytet (veçanërisht me bankën) për gjithçka kishte të bënte me interesin dhe progresin e bashkëvendasve dhe nxënësve të saj.

Dorën në zemër, gjatë leximit, në shumë vende të romanit, njeriu e ka të vështirë t’i shpëtoj emocioneve më drithëruese dhe derdhjes së lotëve. Me këtë sfidë jo rrallë herë u përballa dhe unë gjatë leximit, derisa bashkudhëtoja imagjinativisht në një hap me Princeshën Meri – këtë engjëlleshë e heroinë shqiptare, të cilën autorja Elhame Gjyrevci në romanin e saj e ka ngritur në shkallën e një KRYEFEMRE SHQIPTARE. Dhe këtë epitet madhor autorja ka arritur ta ndërtojë me një gjuhë të mrekullueshme narrative përmes kryepersonazhes së veprës, e cila, sa është e emancipuar në shkallën më të lartë intelektuale, po kaq lartë është edhe në rolin e një emancipuese brilante e brezave të rinjë shqiptarë.

Ndërkaq, ekstazën më kulminante shpirtërore gjatë leximit të këtij romani e kam fituar në rastet vijuese:

– Fjalët e babait, kur ia tha Merit mbas vdekjes së ëmës:

“Mos qaj, bija ime, ne do ta punojmë tokën më mirë se herave të tjera, do të mbjellim drithëra dhe do të na sjellin pasuri dhe ne do ta ndërtojmë një shtëpi të madhe, ku të gjithë do të kemi vend”. Patën qenë fjalët e fundit të tij që Meri i dëgjoi nga i ati…

– Kur Princesha Meri pas varrimit të babait shkon te varri i nënës së saj dhe zotohet se do të përkujdeset maksimalisht për të motrën e saj më të vogël Ema dhe vëllain Benin, si dhe zëri nga varri i nënës së saj, që i jehoi furishëm në imagjinatë:

“Meri shkoi vrap te varri i nënës dhe i tregoi:

“Tash e tutje po na marrin gjyshërit, nëna ime e dashur!” Qau sa mundi, një pus e mbushi me lotët e saj të njomë.

“Mos qaj, mos qaj bija ime! Po më dëgjo çfarë do të të them: kujdesu për motrën dhe vëllain, kurrë mos i lër vetëm! Në dorën tënde kanë mbetur dhe, mos harro, bija ime, se ditë të bardha do të vijnë edhe për ju. Meri, bija ime, mos i harro kurrë fjalët që t’i tha nëna!, – u dëgjua zëri i nënës nga varri.

Meri, sa dëgjoi zërin e nënës dhe fjalët që ia tha, ajo mbeti e shtangur në vend, e hutuar, dhe me lot në sy iu drejtua nënës me këto fjalë:

“E pra, më dëgjo, nëna ime e dashur, nuk do të qaj më, për motrën dhe vëllain do të kujdesem dhe kurrë nuk do t’i lë vetëm, besën po ta jap, nënë e dashur”.

– Zotimi pranë varrit të së bijës dhe varrit të dhëndrrit i gjyshit dhe gjyshes së Merit se do të përkujdesen maksimalisht në rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tyre tashmë jetimë:

“Jemi të lumtur që kemi dy mbesa e nipin dhe ne do të kujdesemi për ta derisa ta kemi frymën e fundit”. Zëri i tyre përshkohej me dridhje dhe pikëllim, sepse ndienin dhimbje për mbesat dhe nipin e tyre. Nuk pati njeri që ishte aty të mos qante kur dëgjuan fjalët e gjyshes dhe gjyshit….

– Fjalët e gjyshit drejtuar gjyshes së Merit te varri i djalit të tyre, duke u përpjekur ta ndalojë së qari para mbesave dhe nipit:

“Mjaft qajtëm, se edhe po të qajmë sa të jetë jeta, ata më nuk ngjallen. T’i lëmë rehat në vendet e veta. Tani e tutje t’i rrekemi jetës dhe këta fëmijë t’i rritim me dashurinë që ne kemi për ta, se këta janë ardhmëria jonë dhe mos u përlot më të të shohin fëmijët, oj grua!”

– Rasti kur Meri merr lajmin e kobshëm për vdekjen e mësueses së saj në fshat dhe e shokuar e nën lot, që i shkonin rrëke fytyrës, vë në kujtesë fjalët e saj të shenjta:

”Pas meje, ti e dashur nxënëse Meri do të jesh mësuesja e fshatit dhe e shkollës sonë. Dëgjoje mësuesen, Meri, nxënësit nuk edukohen duke qarë dhe duke u mërzitur, nxënësit mësohen dhe edukohen kur ti je e buzëqeshur dhe duhet të kesh dashuri ndaj tyre, për t’i bërë ata të lumtur”

– Meri, tashmë e rritur dhe e kualifikuar në pikëpamje arsimore, kthen definitivisht në fshat për të përplotësuar emanetin e mësueses dhe prindërve të saj. Pranë varreve të tyre ajo do të shprehet me shpirt:

“Prindërit e mi, mësuesja ime, unë jam kthyer në fshat si mësuese shkolle dhe emanetin tuaj nuk e harroj kurrë…!”, dhe i ranë lotët nëpër faqe. Pasi u çmall me varret e prindërve, u largua duke menduar për të motrën dhe vëllain, pa i harruar as gjyshërit e vet. Ajo tha:

“Gjyshër të dashur, motër dhe vëlla imi i dashur, të pazëvendësueshëm jeni për mua,,,,Ju jeni pjesë të pandashme të jetës sime”.

– Pas marrjes së postit të mësueses në fshatin e lindjes, rindërtimit të një shtëpie të madhe, kthimit të arave dhe malit në tokë të plleshme, rindërtimit të godinës së re shkollore, themelimit të uzinës-rafinerisë së naftës, formimit të grupit letrar-recitues, dashurisë dhe martesës me kolegun e saj Simonin, si dhe shfaqja e shtatzanisë së saj, Princesha Meri do të shqiptojë nga thellësia e shpirtit ligjërimin, respektivisht lutjen e saj sa sublime aq edhe të shenjtë:

“Zot, më dëgjo, për të gjitha që ke bërë dhe po bën akoma për njerëzimin, ashtu bëre edhe për mua. Më ndihmove dhe më dhe kurajë, më bëre edhe më të fortë sesa unë mendoja, dhe, në fund, bëre që të më plotësohet edhe dëshira më sublime familjare që unë pata. Faleminderit shumë! Faleminderit nga zemra dhe për ju, prindërit e mi, që më edukuat, gjyshër, që u munduat aq shumë për të na rritur dhe edukuar, dhe ju mësuesja ime, që më mësuat sesi duhet jetuar me nder e ndërgjegje kombëtare dhe njerëzore!”

Në përmbyllje të vështrimit tim, më mbetet të konstatoj faktin krucial që kjo vepër romanore është shumë e dobishme për auditorin lexues, edhe atë nga gjitha pikëpamjet që i shtrova gjeneralisht, si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit dhe gjeneratat e vjetra, sepse në përmbajtje të rrëfimit janë përfshirë qartazi tre brezat e një familje, vertikalisht: gjyshërit, prindërit, fëmijët: nipërit dhe mbesat; si dhe horizontalisht: vëllezërit, motrat, farefisi i gjerë dhe bashkëkombasit e njerëzimi globalisht.

Së këndejmi, romani “Princesha Meri” i prozatores dhe poetes znj. Gjyrevci është pa dilemë një monument sa artistik, aq edhe kombëtar dhe gjithënjerëzor, për nga vlera e tij shumëdimensionale.

Qoftë i bekuar ky libër i shkrimtares brilante zonjë Elhame Gjyrevci dhe ndrittë ndër breza dhe shekuj në shqiptari!

Berlin