Plepi i egër-Vladimir Muça


Vladimir Muça

PLEPI I EGËR

Tek fushë e vjetër në Erzen

Bleron ai gjithë shend,

Ëndërrat zënë e zgjohen

Sa herë më vjen ndërmend.

Shumë fjalë shpirti shkrova

Rreth trungut për kujtim;

Gjithnjë më gjendej strehë

Në gaz dhe hidhërim.

U rrita dhe u largova

Një ditë nëpër terr,

Por sytë para nisjes

I mbylla menjëherë.

Ndjeva si dridheshin degët,

Dëgjoj, ata më thonë:

Tek unë shtegëtar i gjorë

Qetësinë do e kërkosh.

M’i thau thëllimi faqet

Fushimit në Gropë-Mal,

M’a flaku shqota çadrën,

S’arrita dot t’a marr.

Jam larg nga Fush’ e Vjetër,

Nga Plepi Egër në vetmi,

Ndjej thellë veç një thirrje:

-Tek unë gjen prehje ti.

1968

KËNDEZI

Një stan në Malin me Gropa

Çdo mëngjes zgjohet

Nga zëri i një këndezi.

Në qoftë s’e s’do ishte ai

Sa të trishtuara!…

Do zgjoheshin stani

Pylli,

E vetë mëngjesi.

MOZAIKISTI

(Piktorit Nikolet Vasia)

Ai mblidhte guriçka

Ngado ku shkonte,

Relike këngësh Orfeu.

Në trastë me bukën i trazonte

Si kujtesë brumëardhje mëmëdheu.

I latonte me kujdes prindërore

Duke mbjellë në to kujtesën;

Zgjohej miti nga gjumi përrallore

Si floriri nga argjendari mjeshtër.

Si mund të lidheshin gurët ndër vedi,

Në një tastierë, si tinguj Orfeu?

E treste mendimi piktor Nikoletin

Gjer në fundjetë kur e mbuloi dheu.