Pranverë e jetës sonë-Ukshin Morina


PRANVERË E JETËS SONË

O i shenjtë që po vuaj dhe njeh brengën time,

me çliro prej mekatit e të shkoj për ku jam nisur,

e paqe t’i sjell ëndrrës sime!

Një ëngjëll jam që rend vetmitar mes një natë të mbushur

me dritëhënë për aty ku zë fill dëshpërimi im.

Ti dhembje e shpirtit tim, që kur të pash nuk gjej dot paqe

dhe shpirti më është sfilitur në heshtje.

Ti, që mes një ditë të veshur me re me erdhe si një

gjëmimë përmes udhës së zhurmëshme nga zukatja

e dalldisur dhe u ngjeshe në krahët e mi.

Ah e vogla ime, tek ty lumturia ime qoftë, tek ti që me

copra të kaltra më je veshur si një stinë pranvere.

Eja të shkojmë e dashur e të rrëfej për dhembjen

time dhe gjëmbat e rritura në kopshtin tim!

Erdhi koha të rrëfej, dita ime ende s’ka filluar dhe gëzimi

im vjen atëherë kur diell e hënë fshehur janë

në vagëllimin e syve tu!

Folmë e vogla ime se koha për të folur është,

eja t’i gërshetojmë ëndrrat siç ti krrelat e zeza sybukura ime ,

se është kjo stinë e jetës sonë,

është pranverë ku çelin masivisht trëndelinat!

Eja e dashur, unë do të luaj ndonjë muzikë rënkimi bashkë

me ty në një dhomë ku tingujt do të jenë këngë perëndie!

Oh jetë! Zot i shpirtit tim, dhuratë besnike e etjes zhuritëse,

ti uri mizore e shpirtit tim!

Lavduar qofsh ti sirenë mitike e detit, ti mrekulli e kësaj bote,

ti dihatje e çdo pranvere që ndizesh në vramendjen time,

ti aromë mëngjesi trëndafilash, lavduar qofsh

për ato sytë e tu plot botë, perlë e magji e shpirtit tim!