Razielda Hitaj:Guri vetmuar


Guri vetmuar
Këmbë’zbathur… ecja tutje
Guri vetëm ka zënë myshk,
Gjysëm hënës… i bëj lutje
Mallëngjimin mos e vyshk.
Shfryu tufani mbi lastarë
Rrushi breshër ra përdhe
Unë vrapoja… si e marrë
Hënëza… fshihej nëpër re.
Edhe gjuhën më lag shiu
Pas një reje… ngjitem lart
Qerpikut… një flutur mbiu
Vallë për ne, do jetë ky fat.
Do vjel ca mjaltë, prej dylli
Do presë si ngjala te reza
Do pres “yllin” pa dalë ylli
Të humbas n’krah si vesa.
Zogu Gjon të përgjërohem
Dëshmitar… sonte të dua
Drerit tim… kur ti afrohem
Shkrepe syrin, merëm mua.
Dërgo qyqen, po nuk erdhe
Le të qajë… të shkulet mali
Kur të dalë “tym” mbi ledhe
Me psherëtimë t’falet zjarri.