Qazim Lika, bashkëluftëtar i Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Elez Isufit e Isa Boletinit-Nga Beqir Shehu


Studiuesi Beqir Shehu vjen me një monografi  interesante  në 155 vjetorin e lindjes të Qazim Maliq Likës, i cili me mençuri e trimëri, arriti të regjistrohet në kujtesën historike të kombit.

Nga Beqir Shehu

Veprimtaria e Qazim Likës, si luftëtar i paepur në luftrat për liri e pavarësi në çerekun e parë të shekullit 20-të, përveçse në këngë e në kujtimet e bashkëluftëtarëve, është pasqyruar edhe në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimet e figurave më të shquara atdhetare shqiptare të kohës si, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletinin, Dervish Hima, Sotir Gjika, Nexhip Draga e shumë të tjerë, por edhe nga konsuj e deri kryetarë shtetesh, si konsulli Halla në Shkodër e ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, baroni Stefan Braun, kryeministri serb Nikolla Pashiq, etj

Studiuesi i mirënjohur i historisë Beqir Shehu që mban titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” i Institutit të Studimeve historike të Akademisë së Shkencave – Tiranë që nga viti 1978, vjen para lexuesit me një monografi të realizuar mjaftë mirë artistikisht dhe shkencërisht, kushtuar prijësit dhe mendimtarit popullor Qazim Maliq Lika nga fshati Vasije i Kalasë së Dodës, bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar i Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës,Elez Isufit e Isa Boletinit.

Referuar shkrimtarit dhe filozofit francez Zhan Pol Sarti se:” ngjarja si histori, ponuk u bë e njohur nëpërmjet tregimit të shkruar, harrohet e humbet..dhe se:..Vetëm nëpërmjet historishkruarjes bëhet histori e gjallë”, Beqir Shehu, ish-Shef i seksionit të arsimit dhe të kulturës në Dibër (1976-1983), pasi ka shkruar e botuar disa monografi e studime historike, si: “Kontributi i Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”(mbajtur në Prishtinë, në kuadrin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1978); “Dibra në vitet e kryengritjeve të mëdha të luftës për liri e pavarësi 1909-1911”; “Beteja e Drinit (Kolosjanit) nëntor 1912”; “Kryengritja e shtatorit të vitit 1913 kundër pushtuesit serb, Kryengritja e vitit 1920 dhe dëbimi i pushtuesve serbë nga lugina e Drinit të Zi”; “Kalaja e Dodës si krahinë etnologjike. Tradita e besimit fetar në Lumë. Dijet dhe shkollimi në Kala të Dodës”; “Kalaja e Dodës- Vështrim Enciklopedik me bashkautorë Ermira Shehu Toca”dhe “Toponomastika dhe gjeneanologjia në katundet e Kalasë së Dodës”, vjen më së fundi me librin “Kaladodasi Qazim Maliq Likanjë nnga prijësit më sojnik të Lumës” si finalizim i studimit disavjeçar të personalitetit të këtij patrioti me kontribut madhor kombëtar.

Nisur nga fakti se historishkruarja, si shkenca e pasqyrimit të të vërtetave historike, nuk pranon shtrembërime e zbukurime, e aq më tepër plotësime e sajime të paqena e të hamendësuara, bazuar në referenca e dokumenta të shumtë arkivorë, Beqir Shehu vjen me  besim dhe bindje në vërtetësinë historike të zhvillimit të ngjarjeve të paraqitura në këtë monografi, kushtuar kaladodasit Qazim Maliq Lika, këtij malësori të veçantë, i cili me sedër, mençuri e trimëri, arriti të rregjistrohet në kujtesën historike, jo vetëm të fshatit të tij, Vasije e krahinës së Kalasë së Dodës, por edhe në rrethinat krahinore të mbarë Lumës, Prizrenit, Opojës,Dibrës, Mirditës, Shkodrës, madje edhe deri në të gjithë Ballkanin. Po. Këtë e pohon vetë autori Shehu, i cili për të pasqyruar me vërtetësi shkencore jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Qazim Maliq Likës në këtë monografi është bazuar në dokumente autentike arkivore, duke patur parasysh dëshmitë e pjesëmarrësve në këto ngjarje si dhe në shkrimet e disa autorëve, që nuk janë të paktë për Qazim Likën, si Prof. dr. Shefqet Hoxha, Prof. dr. Fejzulla Gjabri, historian Mois Murra, Masar Rizvanolli etj.

HALIL RAMA – Mjeshtër i Madh

KALADODASI QAZIM MALIQ LIKA NJË NGA PRIJËSAT MË SOJNIK TË LUMËS

Qazim Maliq Lika lindi më 1869 në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, në një familje të fisit Daku, ardhur nga Radomira. Qazimi ishte i dyti në radhë, i katër vëllezërve të mbetur jetim, me vdekjen e Maliqit, babait të tyre. Që në moshë të re, u detyrua të përballonte vështirësitë dhe problemet e familjes, që mbeti pa zot shtëpie. Në formimin e personalitetit të Qazim Likës, për t’u shquar dhe për të futur gjurin në sofrën e burrave, kanë ndikuar një varg ngjarjesh e zhvillimesh kohore.

Ai nuk qëndroi mënjanë ndaj tyre, por i përjetoi me një veprimtari të guximshme atdhetare, duke u vënë në drejtim të qëndresës popullore të një krahine me emër, siç ishte Kalaja e Dodës në fillimet e shekullit XX, vite kur ishin në lojë fatet e Shqipërisë.

Qazimi e kaloi fëmijërinë e rininë në fshatin e lindjes, Vasije, në atë mjedis natyror, ku njerëzit gëzojnë lirinë e fjalës dhe të veprimit. Edhe pse nuk pati mundësi për t’u shkolluar dhe i rritur jetim, në sajë të kujdesit të nënës, Selvishahes,një nënëmadhe e vërtetë dhe djalit të hallës së tij, Haxhi Rexhep Lamallarit, i përmendur në Kala të Dodës për dije, kulturë e mirësi, Qazimi përthithi vetitë më karakteristike të mjedisit ku u rrit – besnikërinë, trimërinë, bujarinë, të cilat, ngjizur me mençurinë, krenarinë e vendosmërinë, që i kishte në gen, bënë t’i dëgjohej zëri jo vetëm në katund e në krahinë, por edhe në tryezat e diplomacisë së kohës.

Portretin fiziko-moral e kulturor, si dhe mpersonalitetin e veprimtarinë e tij, na i ka dhënë Tafil Boletini në librin “Pranë Isa Boletinit” (Kujtime), kur me shpurën e atdhetarit Isa Boletini, në nëntor të vitit 1912, po udhëtonte drejt Vlorës, qëndruan dy netë edhe në kullën e Qazim Likës.

“Nga Ujmishti, -tregon Tafil Boletini: -Po me atë pari kemi dalë në Kala të Dodës. Bëmë konak te Qazim Lika, e njoftëm për burrë trim, fizikisht mjaft i zhvilluem, i zgjuet e gojëtar, por edhe në shpijë i rregullushëm, si me qenë qytetar!

Qazim Lika, si kryetar çete, i ka pas tronditur ato krahina, deri në fushën e Xhevxhelisë. Veprimtaria e Qazim Likës, si luftëtar i paepur në luftrat për liri e pavarësi në çerekun e parë të shekullit 20-të, përveçse në këngë e në kujtimet e bashkëluftëtarëve, është pasqyruar edhe në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimet e figurave më të shquara atdhetare shqiptare të kohës si, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletinin, Dervish Hima, Sotir Gjika, Nexhip Draga e shumë të tjerë, por edhe nga konsuj e deri kryetarë shtetesh, si konsulli Halla në Shkodër e ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, baroni Stefan Braun, kryeministri serb Nikolla Pashiq, etj.

Në këto dokumente dëshmohet se Qazim Lika, sëbashku me krerët më të njohur të krahinës së Kalasë së Dodës dhe të krahinave përqark Dibrës, Lumës e Opojës, ishte organizatori dhe drejtuesi kryesor në Kuvendet e Dheut, ku u lidh besa e u hartuan planet e organizimit luftarak për përballimin, si të hordhive turke, të cilat kërkonin të reformonin e të mbanin gjallë gërmadhën turke në çerekun e parë të shekullit XX-të, kur shqiptarët kërkonin pavarësi, por edhe në mbrojtjen e trojeve kombëtare nga sulmet pushtuese të monarkive ballkanike e në veçanti, asaj serbe, që kërkonte me çdo kusht daljen në Adriatik.

Qazim Lika udhëhoqi forcat e krahinës së Kalasë së Dodës në një varg betejash kundër forcave turke dhe atyre serbe si: Në vitin 1909, kundër forcave turke të Xhavit Pashës, duke e detyruar të vinte thembrat nga kishte vënë gishtërinjtë. Kundër taborreve të Turgut Pashës, më 1910, ku me gjithë qëndresën heroike të malësorëve, ishte e pamundur ndalimi i forcave të tij shkatërruese. Kundër hordhive të Kral Pjetrit, në betejën legjendë të Lumës në nëntor 1912 dhe veçanërisht, në kryengritjen antiserbe të shtatorit 1913, ku Qazim Lika udhëhiqte edhe forcat e Gorës e të Opojës, ku edhe u plagos rëndë dhe u zëvendësua nga trimi i Gorës, Nail Hyseni, etj.

Ja edhe disa nga dokumentet e kohës, ku pasqyrohet

veprimtaria atdhetare e udhëheqësit popullor Qazim Maliq Lika

Letër e Hasan Prishtinës dërguar Dërvish Himës dhe botuar në revistën “Arnaut” më 1910, që dilte në Stamboll. “Qazim Lika është një nga krerët më të shquar të Lumës dhe u ka rezistue tundimeve të Esat Pashës për ta ba për vete”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Baroni Stefan Burjan, i kërkon konsullit Halla në Shkodër intervencion për Qazim Likën.

“Bashkangjitur ju transmetoj një lutje të farefisit të një shqiptari, të quajturit Qazim Lika, referuar juve si referencë. Ju lutem që sëbashku me kthimin e lutjes, të raportoni këtu çfarë dini për Qazim Likën?(Fondi i arkivit të Vjenës, Dosja, 26-9-1916).

Përgjigjja:

“Në konformitet me urdhërin e sipër shënuar dhe së bashku me kthimin e lutjes së nënës së Qazim Likës, të datës 15 shkurt të vitit në vazhdim, kam nderin t’u njoftoj Shkëlqesisë suaj, se Qazim Likën unë e kam njohur vitin e kaluar në Shkodër. Qazim Lika kishte lidhje miqësore me Hasan Prishtinën, të cilin ai e ndihmoi dhe me rastin e aksionit të tij, kundër serbëve dhe kështu më kishte rekomanduar tepër prej tij. Ai ishte një nga krerët më të shquar të Lumës dhe u ka rezistuar tundimeve të Esat Pashës, për ta bërë për vete. Arsyeja e arrestimit të tij në Selanik, nuk dihet prej meje.” (Shkodër 19 maj 1916.Nr.572 A.) Konsulli, p. dhe mb. Halla.

Dokumenti më me vlerë, ku pasqyrohet veprimtaria atdhetare e Qazim Likës si udhëheqës popullor në dhjetëra beteja kundër pashallarëve turq e pushtuesve serbë, por edhe si një burrë i mençur në kuvende dhe gjykues i ngjarjeve e njohës i zhvillimeve taktike e strategjike të betejave, ku kishte udhëhequr duke dhënë mendime shumë bindëse për shkaqet e humbjeve, apo të fitoreve të tyre, është intervista e gazetarit të gazetës “Shqypja e Shqypnis”, Sotir Gjika në Athinë, më 21 janar 1911, botuar në këtë gazetë të Josif Bagerit, datë 26 shkurt 1911.2 Në letrën përcjellëse të kësaj interviste, dërguar Josif Bagerit, nga Sotir Gjika, thuhet: “Këtu në këtë qytet, në Athinë, pata fatin e mire të ndeshem me zotni Qazim Lika, i cili asht nji kryetar i gjindjes së Lumës, që nën kryetarin e këtij kapedani, mori pjesë vitin që kaloi në luftërat e rrepta me bylikët e Turgut Pashës në Shqipërinë e Veriut. Qazim Lika më priti vllaznisht dhe më kallëzoi mjaft çkoqitur e bukur për shumë punë. Ky zotëri ndër shumë të tjera fjalëve, që më tha, më ktheu kujtesën më shumë për këto luftëra.”. (Josif Bageri, gazeta, “Shqipja e Shqipnisë”, 26 shkurt 1911).

“Kur e pyeta këtë dashamirë se a mundet me u ngrit tanë Shqipënia”- shkruan gazetari Sotir Gjika. – Ky më tha se:- s’ka nevojë për me u ngrit tan Shqipënia, po vetëm ata që rrokin hutat me luftue kundër armikut, të kenë vllazëri e bashkim…

-U thashë: – zotni, se mosbindja ndaj njani- tjetrit e pakryesia, na ka prish fort, e jo tjetër. Na jemi mjaft trima dhe vendi na ndihmon bukur për me ndenjë kundra armikut. Sikur të më vinte një ndihmë vllaznore kur luftoja në qarkun e Lumës, besa – besë u thom or vlla, se nuk do ta lija Turgut Pashën ta shkelte Lumën dhe malësinë e Dibrës.”

“Po si munde me hy këtu në Greki, zotni Qazim Lika”? – e pyet gazetari.

“Zotni, munda me hy këtu në Greki me shumë mundime. Para dy javësh u ndesha në Pire me zotninë Qemal Begun (Ismail Qemalin), të cilin e luta me më dhënë pak men, se i hupa… Zotni Qemal Bej mu zotue se mbasi të mbërrinte shëndoshë e mirë në Stamboll,e pasi të merret vesh me zotnijtë: Myfit Begu (Mufit Libohova), Hasan bej Prishtinën dhe Nexhip bej Dragën, do t’më shkruejn se qysh të baj; dhe kështu tani po pres letër prej Ismail Qemal begut këtu në Athinë, që t’më udhëzojë se si t’punoj e kur të shkojë”.

Gazeta “Besa Shqiptare”, shkruan: “…Më 1913, Qazim Lika ka shkëmbyer mendime me letra nëpërmjet ndërlidhësit Halil Shira, bashkëfshatari i tij nga Vasijet, me kryetarin e Qeverisë së Vlorës,”- cituar në “Dibra dhe etnokultura e saj”, II,Tetovë 1996. Duke folur për kryengritjen e shtatorit 1913, konsulli austro-hungarez në Prizren, me telegramin nr. 28, datë 29.09.1913, njoftonte qeverinë e tij se: “Shqiptarët nën udhëheqjen e Qazim Likës, pas luftimeve të gjata, i kanë thyer serbët në Kolesjan, Vasije e deri afër Bicajt… e sot kanë arritur deri në Prizren… janë afërsisht 50 serbë të plagosur“. (Arkivi i Vjenës në Institutin e Historisë”, Tiranë).

Disa vargje të një kënge për Qazim Likën në kryengritjen e vitit 1913.

(Këndohet në Vasije, në fshatin e tij).

“..Gjimon Dragashi e Pllaima

kjo Nahija plot me traima.

Prizerenin kush e kalli,

Qazim Lika, bajraktari.

Qazim Lika e Beram Gjana,

bajnë hoxhum si dy asllana.”

Në Historinë e Shqipërisë, pjesa e tretë, 1977, f.430, shkruhet: “Kryengritja qysh në fillim përfshiu rrethin e Lumës. Kryengritësit e drejtuar nga Ramadan Zaskoci e Qazim Lika, e çliruan këtë krahinë dhe iu afruan Prizrenit. Kryengritësit u hodhën në sulm edhe drejt Gjakovës, por nuk mundën të hynë në qytet.”

Në fillim të vitit 1913, qeveria serbe e Pashiqit kishte nxjerrë në listat e zeza për likujdimin e prijësave Elez Isufin, Qazim Likën dhe Ramadan Zaskocin, duke paguar për kokat e tyre nga 1000 deri në 1200 dinarë. Në përgjigjen e Nikolla Pashiqit, dërguar majorit Leovac, datë 8 korrik 1913, thuhet: “Meqë këta njerëz janë të njohur edhe si kriminelë e hajdutë, ndaj tyre duhet vepruar sipas ligjit dhe nëse duhen para për eliminimin e tyre, këto të merren nga fondet ushtarake”

Duke u bazuar në citimet e mësipërme, mund të shprehim se: Qazim Lika, përveçse ishte një udhëheqës popullor e luftëtar trim, ishte njëherësh edhe burrë i mençur dhe një luftëtar i përkushtuar e vizionar për të ardhmen e Shqipërisë. Në këto dëshmi të padyshimta, bindemi se formimi patriotik i Qazim Likës, nuk i përket vetëm familjes e rrethit fisnor e krahinor të tij, por është edhe rezultat i ndikimit, që kanë pasur në formimin e personalitetit të tij, figurat me të shquara atdhetare shqiptare të kohës si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Buletini, Nexhip Draga, Dërvish Hima e shumë veprimtarë të tjerë të çështjes sonë kombëtare. Miqësia më këta burra mendjendritur, u lidh në mjedise kuvendesh dhe betejash, aty ku vendoseshin fatet e atdheut.

Përkushtimi i tij ishte vënia në shërbim të çështjes kombëtare, jo vetëm e pasurisë, por edhe e jetës e familjes së tij. Le të jetë ky portret, një lule në varrin e humbur të këtij luftëtari të paepur të çështjes tone kombëtare, që nuk kurseu as jetën për mbrojtjen e realizimin e saj.

“DËSHMORI ATDHETAR I VJETËR KALADODASI QAZIM LIKA”

Shpallur dëshmor me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër, nr.72, date 23.5.1984, në të cilin shkruhet:

“Qazim Maliq Lika, datëlindja 1869, fshati Vasije i rrethit Dibër, në vitin 1913, në muajt shtator–tetor, sëbashku me udhëheqës të tjerë krahinash, komandoi forcat vullnetare kryengritëse kundër ushtrive pushtuese serbe në frontin e Dragashit. Gjatë operacionit serb të vitit 1913, ai iku në Selanik për të gjetur përkrahje, për të ndihmuar në luftën kundër serbëve. Në Selanik vdiq në burg i futur nga francezët (aleat të serbëve) në vitin 1914. Si udhëheqës i krahinës i luftrave kundër ushtrive pushtuese serbe, në frontin e Dragashit, gjatë muajt shtator 1913”