Refleksione rreth disa poezive lirike të poetit Ndue Dragusha-Llesh Gjoka


Mund të jetë një imazh i 1 person

Po marr përsipër të shkruaj disa rrjeshta, si refleksione që vijnë natyrshëm nga leximi i disa prej poezive lirike të poetit të mirënjohur lezhjan Dragusha Ndue !

Ky poet, tashmë prej vitesh, ka krijuar një diapazon të gjërë të motivimit dhe shkrimit poetik, në gjithrrokje të temave të natyrës së përditshmërisë dhe përtej saj.

Duke shpërfaqur nervin e tij poetik përballë problemeve të mprehta të jetës sociale e familjare, si tribunë mendimi e thirrjesh përmes vargjeve kundër dukurive negative, duke lartësuar cilësitë më të vyera humane.

Duke ndaluar vetëm te disa poezi lirike, specifikisht ato për dashurinë, s’ka se si mos të zbulosh një anë shumë të ndriçuar të muzës së tij poetike, e cila gjithmonë të befason me kumtet e saj plot kthjelltësi dhe ngrohtësi.

Kjo lloj poezie, së pari vjen si një ndjesi e fuqishme, si një burim i pastër që kërkon të çajë shkëmbin që përbëhet nga të gjitha nënshtresat ku u formësua urtia dhe kultura e poetit.

I frymëzuar që nga poezitë legjendare greke, romake, shekspiriane etj; nga poetët e Rilindjes, të mëvonshëm shqiptarë e botërorë, nga poetët e sotëm më në zë, bashkëkohorë; poeti me penën e tij kërkon të lërë gjurmën e tij të qelibartë si një poet lirik bashkëkohor dhe modern.

Kjo vërehet mirëfilli në disa nga poezitë e tij shumë të bukura kushtuar dashurisë.

Në poezinë “Soneta e heshtjes së bukur”, ( N.Dragusha ), tropet e përdorura, paralelizmi figurativ, metonimia etj. krijojnë një mjedis fantastik, ku në fokus është dashuria, si pasion i pastër që kërkon medoemos të digjet:

“Sa e zbehtë hëna sonte/ tek noton e zbehtë në lëngjet e kaltër të syve tuaj/Një dashuri e zhveshur nudo rrëshqet poshtë faqeve/në formë loti/ Trupi pulson yje në formë buzësh…” ( N.Dragusha ).

Dashuria për poetin nuk është thjesht një nocion; ai asaj i atribuon gjithçka duke i paracaktuar përmasa universale.

Kështu shpjegohet filli i ngushtë lidhës shkak – pasojë, natyrë idilike – poet.

Shiu troket si mall në shpirtin e poetit.

” Kur bie shi/Ndjej thellë mungesën tënde/Në çdo pikë të mallit tim…” (Poezia: “Sa herë bie shi”, N.Dragusha).

” Më trokiti sonte shiu në dritare/ si malli që thyen shtigje e kapton male” ( Poezia: “Stuhi malli” N.Dragusha ).

Simbolizmi përdoret natyrshëm, duke e përthekuar ndjenjën, përçimin e saj deri në kufijtë e sublimimit.

“Llava e hënës e përmbyti lumin/përmbyti buzët e ndezura në magji/ Eja, o shpirt, tregoma mua fundin/ Se buzët duan shtrat për dashuri…(Poezia: “Llava e hënës së majit” N.Dragusha).

Nuk ka se si të kalojë në harrim gjithçka që ka si burim dashurinë.

Kujtimet kanë një fytyrë të bukur, të gdhendur në shpirt, të femrës, të gruas që të ngazëllen edhe pas shumë vitesh:

“Shumë vite që atëherë kanë kaluar/Vite që ikin shpejt dhe nuk vijnë/Por unë kurrë s’e harroj atë grua/Që më bëri të njoh dashurinë…”(Poezia: “Kujtimi për atë grua”, N.Dragusha).

Si këto poezi dashurie që citova më sipër dhe shumë e shumë poezi të tjera të poetit të talentuar mund të krijonin një libër më vete, për t’u shijuar nga lexuesit për nivelin e lartë artistik dhe estetik.

Edhe pse vitet po kalojnë pa kthim, poeti i nderuar Ndue Dragusha, vazhdon të jetë mjaft aktiv me krijimet dhe shkrimet e tij edhe jashtë poezisë.

I urojmë jetë të gjatë, muzë të përhershme, krijimtari të pasur për lexuesit e shumtë qê e ndjekin.