Rrëshqitje në akull:Ligor Stafa


Rrëshqitje në akull

Ajo provoi këpucët magjike që i kishte dhënë miku i saj iluzionist. Iu afrua pasqyrës në mes të korridorit. Pas hukatjeve në qelq pa sozinë e saj, pa tundimmarrëzinë e një statuje supengrënë. Ende brenda vetes dëgjonte ofshamat e kalimnatës flokëshprishur.

Iu afrua dritares dhe vështrimin e ndali te sheshi i akullt përballë hotelit, te ai shesh që dukej sikur të mbërthente me duart e tij të ftohta.

Kishte dëgjuar histori nga më të ndryshmet për atë vend. Flitej për dhjetra mëkatarë, që ishin rrëzuar duke kaluar mespërmes sheshit të akullt.

Ajo tashmë ishte një mendim, që ndjek mënyrën se si hapet një portë e kristaltë. E ndiente se ishte shndërruar në një pëshpëritje mes pëshpëritjeve per rrëshqitjen, për mosrrëshqitjen.

Përreth sheshit kishte njerëz kureshtarë: shihnin ata që dilnin nga hoteli dhe ecnin mespërmes sheshit. Disa kalonin të trembur, se mos bëheshin viktima të akullit. Disa kalonin duke qeshur si të droguar. Disa e kalonin provën, të tjerë rrëshqisnin e përpëliteshin në akull, duke shkaktuar brohori. Njerëzit që i shpëtonin kurthit të akullt bashkoheshin me kureshtarët dhe gajaseshin me të turpëruarit.

Ajo zbriti shkallët e hotelit dhe iu afrua sheshit të akullt. Duke imituar një përbindësh të tërhequr, duke iu shmangur lornjetëve të bezdisshëm, ajo nisi të ecte mes sigurisë dhe pasigurisë. Shihte këpucët magjike dhe i dukej se pranë saj ishte një udhërrëfyes për lëvizje të përkryera. I dukej se ishte lëshuar drejt një përqafimi të egër dhe një përqafimi të akullt.

Por ja, magjia e këpucëve magjike u prish. Asaj iu duk se po rrëshqiste drejt një humnere.

Nuk e kuptoi se si u shtri në gjerëegjatje mbi akull. U përhumb në atë gjendje mes turpit dhe lëndimit të trupit.

Ndjeu në atë përhumbje një të qeshur të njohur dhe dy duar që po e ngrinin me ngadalëkujdesje.