Sefka I Çipani-” Kapaku i florinjtë” i muzikës popullore-Nexhat Nallbati


” Kapaku i florinjtë” i muzikës popullore

(1934-2003)

(Laver Bariu i Devollit)

Sefedin Çiço(SEFKA)kështu e thërriste gjithë Devolli lindi në vitin 1934 në fshatin Çipan të Devollit.Historia e jetës së tij është paksa e hidhur.Ajo ka të bëjë me qëndrimin e babajt të tij në lidhje me luftën A.N.ÇL.Ai jo vetëm që nuk e simpatizonte këtë luftë por ishte kundërshtar i saj duke bërë pjesë në rradhët e Ballit kombëtar.Në kohën kur SEFKA ishte fëmijë i vogël në moshën dhjetë vjeçare babai i tij është vrarë në përpjekje me forcat partizane.Në këto kushte ai mbetet jetim dhe u desh që i vetëm të ndeshej dhe përballonte vështirësitë dhe problemet e jetës.

Përballja me këto vështirësi e bëri atë që të bëhet “Zot” i vetes.Në fillim mësoi zanatin e marangozi(zdruktarit) me dëshirën,pasionin dhe vullnetin e tij. Në rritje e sipër në moshë SEFKA filloi të shkëlqejë në fushën e muzikës.

Ai qysh në moshë të vogël shquhej për dëshirë dhe veshë të mrekullueshëm në muzikë. Qysh atëhere ai e filloi me fyellin dhe pastaj i mësoi me rradhë të gjitha veglat e tjera muzikore.Nuk kishte vegël muzikore që të mos njihej dhe përdorej me mjeshtëri nga SEFKA që nga klarineta(gërneta) lahuta,tamburaja,fyelli,fizarmonika etj.Ajo që e bëri atë të njohur dhe të famshëm jo vetëm në fshatin e tij,në zonën e Devollit dhe më gjërë ishte Klarineta,të cilën ai e quante pjestare të familjes së tij për nga dashuria dhe mardhëniet që kishte krijuar me këtë instrument.Po t’a pyesje Sefkën se sa veta jeni në shtëpi.Ai përgjigjen t’a jepte menjëherë.Në shtëpi jemi katër veta,unë,gruaja,djali dhe klarineta Pra klarinetën ai e quante pjestar të familjes së tij.

Nuk kishte Devolli të lindur pas viteve 1960 që të mos e kishte njohur dhe dëgjuar Sefkën e Çipanit ose siç e quanin ata vetë LAVER Bariun e Devollit.Klarineta e tij u bë e njohur në të gjitha gëzimet familjare,dasmat,ceremonitë e tjera dhe veprimtaritë e shumta kulturore dhe muzikore që zhvilloheshin në zonën e Devollit.Të tilla ishin aktivitetet e shumta që zhvilloheshin në fshat,në koop.bujq.Hoçisht si dhe festivalet artistike të këngëve dhe valleve popullore që zhvilloheshin çdo vit në Bilisht në kryeqendrën e Devollit,

SEFKA kur fliste për instrumentet muzikore i shkëlqenin sytë.Megjithse biografia e tij në njëfarë mase i prishte pak punë por me aftësitë e tij prej mjeshtri të madh në muzikë ai çante përpara,pasi dallohej nga të tjerët.Ai e dinte mirë damkën e biografisë së tij dhe e përjetonte atë në takimet dhe bisedat që bënte me të tjerët duke qëndruar pak i ndrojtur dhe i ftohtë me ta.Po ti afrohesh Sefkës për të bërë ndonjë bisedë apo për të pirë ndonjë kafe ai të paralajmëronte:Kujdes mos u afro shumë pranë meje se mos të bëj “Zarar” ty thoshte.

Megjithë përpjekjet që bëheshin për t’a mbajtur larg jetës artistike këtë mjeshtër,këtë instrumentist të rrallë ,nuk ja arritën dot sepse forca dhe virtuoziteti i lartë i muzikës që luante dhe përhapte ai ishte shumë i lartë.Muzika është ndjenjë e fortë që prek shpirtin e njeriut.Ajo nuk njeh kufizime dhe biografi politike.Ajo ve në lëvizje”telkat”e zemrës.

Në jetën e përditëshme SEFKA ishte njeri tepër i rregullt,puntor i palodhur, tepër i qetë,i dashur,këmbëngulës,inteligjent në kuptimin dhe interpretimin e muzikës në përgjithësi dhe sidomos asaj popullore në veçanti. Ai ka dhënë një kontribut të madh në një sërë studimesh:

-Këngët popullore që shoqërojnë vallen Devolliçe dhe vallen e Isuf Arapit.

-Afërsia e valles devolliçe me vallen Gorarçe.

-Instrumentet muzikorë të përdorur në zonën e Devollit etj.

SEFKA një kontribut të madh ka dhënë në krijimin e grupit artistik folklorik të Hoçishtit.Ai morri pjesë me 12 artistë si bërthamë e grupit folklorik të rrethit të Korçës,i cili nga specialistët u quajt”Kapaku i florinjtë”.,Në festivalet folklorike kombëtare në vitet 1982 dhe 1986 Çuditërisht ai ishte dhe autori i muzikës së një këngë me titull”Qan nëna për të birë”. Të gjitha këngët e grupeve popullore të Vranishtit,Gracës,Babanit,Vërlenit etj,të rregjistruara në Radio Korça janë realizuar me tingujt e klarinetës dhe fyellit të Sefedin Çiços.

Melodia e këngës popullore më të bukur të Devollit “Vallë vjen behari kurrë”,mban për autor Sefkën e Çipanit.Figura të tilla si SEFKA janë të rralla në historinë e muzikës dhe folklorit shqiptar.Kontributi i tyre shëmbullor 40 vjeçar janë pjesë e thesarit të madh muzikor që dhanë atë që s’e japin shekujt. Vlerat e tij njerzore më të mëdha janë:

-Talenti,dëshira,pasioni ,vullneti,profesionalizmi dhe mjeshtëria e tij artistike në njohjen dhe përcjelljen tek masa e popullit të thesarit të madh popullor në fushën e këngës dhe valles popullore.

Durimi,qetësia dhe këmbëngulja për të arritur më të mirën e mundëshme edhe kur ke përballë vështirësi dhe pengesa të shumta që të dalin përpara.

SEFKA ishte dhe mbetet modeli dhe simboli i mundit dhe sakrificës njerzore për mbijetesë përballë çdo pengese dhe vështirësie që të nxjerr jeta.