Sergej Esenin-Poezi


Si t’ia bëj, – e pyeta sarafin,

Në mëngjez, kur theva ca para,-

Si t’i them me ëmbëlsi “të dua”,

Në persisht, të bukurës Lejla?

Përsëri e pyeta sarafin.

Lehtë e lehtë, porsi fllad, pastaj:

-Po të perëndishmen fjalëz: “puthje”,

Në persisht, si t’ia shqiptoj asaj?

Si t’ia bëj, – e pyeta së fundi,

Edhe zemra gati sa s’më la.

-Si t’i them “je imja, vetëm imja”.

-Në persisht, të bukurës Lejla?

Ç’mu përgjegj sarafi shkurt e prerë:

-Dashurine fjalët s’e tregojnë,

-Dashurinë e thonë vetëm dridhjet,

Sytë, si rubin kur vezullojnë.

Sa për puthjen, as ajo s’do fjalë,

Puthja s’është një mbishkrim mbi varr.

Puthja lëshon erë trëndafili.

Petlat tek i shkrin te buzët zjarr.

Dashuria s’dihet se ç’të sjell.

Gaz a helm, duro e mos u ndjej.

“Imja je”, këtë e thonë duart,

Ferexhenë kur e flakin tej.