SHIU S’E SHUAN KËTË ZJARR

Gjatë tërë natës ra shi
rrëmbyeshëm gjuante kokrra uji
rrebeshe në kulme, në dritare
ullukëve që dridheshin.
Kjo natë e vdekur
Kjo tokë e lagur
mes errësirës nata
sikur thurte operën e shiut.
Ajo, me këmishën e fjetjes
e tëra dridhej
e përrenjtë e kuqërremtë të fryrë
sikur vraponin për të mbetur
eshtra të larë gurësh të bardhë.
Këtë zjarrmi, vallë, do ta shuajë shiu!?
Bie shi
s’pushon
dje ka filluar
O Zot, madhëria jote
Lart në qiell …
Shiu s’ka të ndalur.
Emri yt i shenjtë
tash sa kohë gjendemi
valëve të detit,
Perëndi!
Shiu s’e shuan këtë zjarr.
Lëkurë e shkëputur prej
mishi e agu sjell kthjelltësinë,
shkëlqimin, diellin mëngjesor,
grumbujt e reve të murrme.
KANJUSHA IME ZGJATUR TA KAM DORËN
Atë ditë të vrenjtur
me shi e borë
vetëtimë e gjëmë
në sytë e ndezur
malli seç më djeg!
I afrohem dritares së hapur,
me sytë ndezur flakë
kapakut të qiellit!
Një zjarr
më djeg në imagjinatën time!
Dheu me ngjyrë e germa
me shkrumb –
Iluzionet seç po më ndizen!
Në fytyrën hije sterrë
në vetulla
përmallshëm pikojnë pikla gjaku,
me gojën pelin
akull
zemërgur!
Derisa ecje
Kanjushë
përtej Urës së Gurit,
zgjatur ta kam dorën!
Me sytë e tu qershi
ma këpute frymën!
Kur të pashë
dallgëve të Vardarit
që më shpuri
në largësi
si anije e madhe –
bjeshke
a thua do të ma shuash vullkanin?
Mbi Urë të Gurit
sytë dashuri
puthje e zjarr
oh, dashuri të shkrihem në të!
NËNË TEREZA
Është Dorë Nëne
Ajo
Me jorganin hyjnor
Shëron.
Ajo Dorë e Shenjtë
Dorë e Shën Mërisë!
Aty ku është shpirti
Është kurmi n’Kashmir.
Ajo Dorë e Shenjtë
është Dorë e
durimit.
Në atë grua në Shtyllë prej Kripe
të vegjëlit
Shkrirjen kremtojnë.
Ajo grua e shndërruar në Shtyllë
e Unë, shpaluar i kam
flokët e shprishur
të apokalipsit!
Me fytyrën e saj të ndritshme
mbuluar
me velenxë
purpurore!
Sa e sa herë na porosiste
si varfanjakë të urtë
të uritur:
-“Flisni, bijtë e mi
bota është gjumë
e kur të zgjoheni
në hartën e dylltë do të rriteni
me atë melhem të shenjtë!”
Gishtërinj të lulëzuar,
shpina të lulëzuara!
Engjëllushë e Tokës sime
s’do të mund t’më rikrijojnë
as trajta e Ademit, as trajta e Havës
që çdoherë janë në mua!
Sa larg është Jerusalemi!
Sa afër Palestina!
Ajo Nënë e Bardhë!
Atje poshtë në Kalkutë
ju përcjell Kipci im
deri në fund të qirit!
Në shandanin e shenjtë,
Shpirti është aty
e kurmi n’Kashmir!
Shpejto, vocërraku im,
i varfër, i uritur
unë do të vij,
aty të pret Nëna e Madhe!
E, t’i shëron plagët
me melhemin e shenjtë. Nënë.
KALORËSI I SKËNDERBEUT
(F. S. Nolit)
Sa e sa herë u grahu
Fiakereve, trolejbusëve.
Vdekjen aktroi
në skenat amatore
në Pandopulu, Tavulari, Lalauni…
Me gjak i lagu
Punimet letrare
Shtyllave të “Numas”, ”Astor”…
Fuqinë e Anteut
Ahamnoni i tij
Kalorësi i fushave
Historia e pa një udhëtar
Duke lexuar mbi gjoksin
E një vashe të bukur
Ngjyrë dielli.
Trimi i Ibriktepesë:
Historia ia la diellin të perëndojë
Drejt brigjeve të pikëlluara.