S’keni parë gjë akoooma…Vaso Papaj


(Poemë)

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo…

I kam parë të gjtha, që kur linda:

Dëborën mbi kangjelet, në rrugën Mbretërore.

Atë ditë rëndonte ftohtësia dimërore

Mbi degëzat e thara të mimozave.

Doktorin italian që më mbajti në krahë për së pari.

U vra nga muzika që prodhonte gryka e mitralozave.

E ç’muzikë !? Me zë të lartë njoftonte çuditërisht

Fitorjen e fitorjeve.

Nënën, më të bukurën në botë,

Me fjalët e saj si rreze drite, që më sillnin shikimin.

I pashë ata që u binin me kondakë bam- bam portave.

Prangosnin njerëz në gjumë.

I kujtonin copa trungjesh të thatë,

që i rrëmben me vrunduj dallgësh pakthim një lumë.

Ishin shumë. I kam parë vetë. Ishin shumë.

Po edhe puthjet e prindëve i kam parë.

Pashë dashurinë për herë të parë

Dhe kam ndjerë lumturi që erdha në jetë prej tyre

Në atë dhomë të vetme bodrum.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo…

I kam parë të gjitha, që fëmijë:

Kam parë anijet që sollën ndihma nga perëndimi.

Thërrime mbetën, tranzit, në veri, tek fqinji.

Dhe ndërrimin e gjuhëve, herë “motra”, herë “mike”

E kam parë,

Nga turqisht, greqisht, serbisht, etj, etj, gjer rusisht…

Vetëm gjuhën e urtë të nënës, rrallë, shumë rrallë denjësisht…

Ndërrimin e flamujve… Në çdo xhep, gati, nga një.

Mësuesen e fillores që na dhuronte dashuri.

Shkollën qytetëse : Atë të dashur, që s’është më

Dhe bukën me triska, tollonët që na solli ajo liri.

Kam parë gëzimin e kalamajve,

Kur sosi e para hekurudhë.

Këngën e vullnetarëve në Port.

I kam jetuar refugjatët ardhur në atdhe nga jugu,

Të vrarë, të djegur e të uritur nga një mort.

E prapë e prapë,

Miliona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën

Dhe zemra më rrahu tërë kohës fort-fort.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo…

I kam parë të gjitha, që në rini:

Luftën ndaj fëmijëve, se dikur një gjysh kishin pasanik.

Kokën, në atë botë, petritave të luftës

Me dyshimin, se kishin vënë kokën e njëshit në rrezik.

I pashë, si i thyen kryqet, si i hodhën minaretë…

Si Zotin e bënë nul, se zotër donin të ishin vetë.

Pastaj, luftën me veten gjersa vetja u kalbëzua.

Është akoma në qivur. Të bëjmë sikur…, të bëjmë sikur…

Filozofia e maskës që një ditë të vë me shpatulla në mur.

I kam parë të gjitha, Ç’të shoh më!?

S’mjafton koha t’i numëroj një nga një.

Kam parë katapulte nga stalla e lopëve në Ministri,

Gjersa vendit zemra i pushoi. Nga padia u bë fli.

Të rinj të burgosur në miniera dhe lypës fatlumë në pleqëri.

Fatlumë, se mijëra të tjerëve Otranto iu bë fushëmort,

Aq sa ndonjëherë arrita të besoj gabimisht, se jeta ishte short.

E prapë e prapë,

Miliona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën

Dhe zemra më rrahu tërë kohës fort-fort.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, joo0…

I kam parë të gjitha, i shoh dhe sot:

Mushkonjën kthyer në avion, po dhe avionin në mushkonjë.

E kam parë dhe jam pleqëruar me zgavrën e ullirit mijëvjeçar.

Me atë që në gjuhën tonë e quajnë zgërbonjë.

E kishin dënuar me vdekje ullirin, në gijotinë.

Luftën e kish fituar betoni, me në krye babëzinë.

Kam parë politikanë dhe s’dua t’i shohë më.

I mbytën ekranet duke dhënë mend edhe pse janë gdhë.

Janë shtuar lypsarët, sa nuk i dalloj dot,

Më kanë zënë sytë.

E kur i prek , më ziet dhe një fjalë e vetme në fyt.

Brenda natës kapen dhjetra peshq të vegjël me miell

E po atë natë lind nga hiçi dhe një bos më shumë,

Që thotë hapur, pa drojë: Për këtë qytet, diell jam unë…

Zot, ndihmomë ta dua atdheun edhe kështu!

Bëje të marrë frymë, hapja atë aortë!

E prapë, e prapë,

Miliona brava s’do të arrijnë të ma burgosnin zemrën.

Ajo më rreh akoma dhe nesër do më rrahë edhe më fort.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo…

I kam parë të gjitha, s’dua të shoh më.

Dua ndryshe ta bëj, ndryshe, çdo gjë.