Stinë e lotëve-Ukshin Morina


Kam etje të këndoj për ty e vogla ime,

e çmendurisht i dashuruar jam

me ty!

Lotët e tua menatave s’janë tjetër veçse

dëshpërime të thella të krijuara midis nesh

si kodra që ngrihen drejt një zbrazëtirë

të paanë!

Është kjo stinë e lotëve që rimojnë

mbrëmjeve mes një qielli të mbushur me

plot yje, që pulësojnë e përshkëndijnë

mbi k’të udhë të ndarë nga hëna.

Ti buzëqeshje e hareshme që ma vesh shtatin

si një perlë e rrallë, je vet ajo që m’i jep

paqe natës sime!

Ti mirësi dhe frut i ëmbël që e bën kaq

të dashur dashurinë,

ti që më pushton mes flakërimash që digjen

në mënyrë të dhembsur dhe nuk e di se

dashuria e bën kohën të fluturojë si një stuhi

dimrore!

E syzeza ime dashuri, ti gjithësi e kësaj bote

që më këndon më zërin e butë një baladë

dhe shpirtin mbush me aromë trëndeline!

Oh zot!

Ç’hare ky qiell i mbushur me dritëhënë,

ç’harlisje e çmendur ky zjarr që më djeg!

Ti rinorja dehëse e kësaj natë që fërfëllinë

mes yjesh të derdhura pranë një kopshti të

mbushur me moll, mos shko dhe pak gjersa dita

të zbardhë nga ky diell i praruar!