Rudina Muharremi Beja
TABLO…
Pleksej e shpleksej tablosë së gjallë –
imazhi që si gjethet dyndej
kaheve nga frynin erërat
e vetvetja kurrë s’mund të ishte…
Ndërsa bindesha
se s’kishte varfëri më të madhe
se boshi që fshihte imazhi sqimë-endur,
i atij gjoksi n’gufim,
mbushur përplot me veten…
Këmbëzbathur zhvendosesha akuarelit në lëvizje,
nën shiun që rrëzohej me duf
e me rrathë shpërhapte rrëfenjat e territ,
reve shpëlarë,
tablosë së shfaqur
brenda kornizës
që asgjë s’mund të falë…
