Të kisha qenë…Fatmir R Gjata


Edhe mermer të kisha qenë

do isha çarë në mijëra pjesë

Përpara syçkave të shkruar

ku regëtin një glob në mes

Aty lexoj fat edhe kumt

dhe gjitha festat pa kremtuar

Aty bëj meshë e lutem vonë

me kryq edhe qirinj në duar.

Edhe një trung të kisha qenë

me mijëra sythë do kishin dalë

Mjaft të ndiej kur më afrohesh

edhe më prek me dorë të valë

E do lëshoja lulë të ndritur

pa pyetur kurrë për muaj e stinë

Vetëm të binin mbi lëkurë,

të preknin gushën edhe gjinë.

Edhe prej hekuri të isha,

do isha shkrirë në zjarr e flakë

Përballë ca buzë të kundërmuar

të trëndafilshme kuqe gjak

E do të dehesha aromash

si në parajsë gjer vonë në terr

Paçka se është shkruar në bibël

se digjesh vetëm po qe ferr.