“Të pabesët”


Romani më i ri me autor PETRAQ J PALI

“TË PABESËT”

Po ju publikoj parathenien të përgatitur nga redaktorja e këtij romani,

znj. Lejla Gorishti.

Parathënie

=====================

Romani i shkrimtarit shqiptaro- amerikan, Petraq J Pali, “Të Pabesët”, që sapo ka dalë nga shtypi është një thirrje, për më tepër një grishje e fortë për bashkim dhe vëllazërim. Pali, del para lexuesit si një krijues që letërsinë e ka pasion dhe i siguron asaj një themel të fortë.

Ky roman, ndonëse shkruhet me një dozë të lartë realiste ngërthen në vete ngjarje e ndodhi tejet dramatike. Qëllimshëm autori ka zgjedhur mënyrën e rrëfimit ( stilin e tij më të dashur),për ta bërë sa më të besueshme e më konkrete ngjarjen.

Besueshmërinë dhe origjinalitetin e bën më të arrirë gërshetimi dhe me një gjuhë komunikative, porse gjithnjë duke ruajtur rrafshin letrar, përmes gdhendjes së arrirë të situatave, karaketereve të personazheve dhe atmosferës së tendosur gjatë tërë rrjedhës së romanit.

Pali, në këtë roman, na i jep ngjarjen krejt të mundshme e të besueshme, duke e përshtatur atë nëpër situata dhe vende historike. Si në ekran televiziv, lexuesi shfleton faqet librit me ankth dhe emocion, duke ndjekur personazhet dhe ngjarjen hap pas hapi.

Natyrisht se personazhet, janë personazhe letrare, pra fiktive, pjellë e fantazisë dhe imagjinates së shkrimtarit, por ai i ka përshtatur aq natyrshëm ata në kushtet sociale, klasore, ekonomike, sa që shpesh na duket se nëpër situata të tilla kemi kaluar të gjithë ne.

Romani “Të Pabesët”, shpalos historinë e një krahine të tërë, duke përfshirë dramën e disa familjeve të kësaj krahine.

Në qëndër të këtij romani, është nje grup kaçakësh, të mirëorganizuar që vepronin fshehtas për të arritur qëllimet e tyre grabitqare.

Vrasje, vjedhje, përdhunime, masakra nga më të tmerrshmet. Kulmin e vet, romani e arrin ne një nga skenat më çnjerëzore, më të ulët,… në atë të përdhunimit te Soses, në sy të burrit dhe të djalit të saj dhjetëvjeçar.

********

“…….Përjetuan dhe skenën e llahtarshme, kur u futën dhunshëm brënda konakut të stanit…Ç’të shihnin?!

E zonja e stanit, me gojën të mbyllur me shami, e lidhur këmbë e duar, shtrirë përmbi gunat e tyre, afër zjarrit, villte gjak nga goja, ndërsa dhunuesi bërë një mbi të, shfrynte kafshërisht nga ndjesia dhe qejfi që po përjetonte.

Nuk foli, as mundi të thoshte asnjë fjalë, Qeskua, as Gilua, kur panë atë skenë aq të tmerrshme e poshtëruese për ta.

E paimagjinueshme!”

Apo, skena e rrëmbimit të foshnjes jetim nga gjiri i gruas që kishte marré përsipër rritjen e tij.

******

“……I folën burrit të kësaj gruaje dhe sa doli në gardh, e goditën, e lidhën dhe u futën brënda konakut duke rrembyer me gjithë djep, të voglin jetim pa nënë.

Llahtaria e madhe u muar vesh aty mbas mes nate , pa u gdhirë.

Gani Çollaku, u bë si i tërbaur….

O zot , llahtarë e madhe!

I ati biologjik i fëmijës që kishte humbur gruan ishte njëkohësisht nipi i mullait, kishte rënë në shok cerebral.

Gruaja që e kishte marrë përsiper “prindërimin” ta ushqente me gji fëmijën bonjak, ulërinte sa dëgjohej në qiell….

– O zoooot, pse nuk morën fëmijën tim, ooooooo perëndi, oooo perëndi e madhe! Ajo, shkulte flokët dhe çirrte faqet me thonj si e marrë, dhembja s’kishte kufi.

Gjaku mbuloi gjoksin e saj prej nëneje.

O perëndi, o Perëndi!…..”

*******

Vuajtjet e mundimet e këtyre banorëve, që s’kanë qënë të pakta, shpalosin para lexuesit pamje skandaloze. Kështu, qëndrimi ideoemocional i shkrimtarit ndaj këtij problemi, zgjon një qerthull ndjenjash. Revolta në popull sa vjen dhe shtohet. Ata çdo ditë ballafaqohen me dhunë, shantazh, ftohtësi, rrëmbime, përbuzje….

Kështu problemet dhe hallet e grave, burrave vajzave, djemve të krahinës janë kuptuar nga shkrimtari si pasoja të vet rendit shoqëror, të mënyrës patriarkale të jetesës, të mentalitetit e psikologjisë që lindin të tilla “soje”, se ” ujku, qimen e ndërron, po zakonin s’e harron”.

Në besë të njëri -tjetrit, nën drejtimin e pleqësisë, me mbështetjen e përfaqësuesve të feve që vepronin në këtë krahinë, populli vendosi të hakmerrej ndaj keqbërësve.

Kështu, i gjetur në situata absurde dhe pa asnjë mbështetje …….vendos t’i jap fund jetës. Ai vendos t’i jap fund jetës, por litari ishte shtrirë gjatë. Këtu fillon konflikti më i ashpër.

Në fund, secili mbart dhembjen e vet të trishtueshme.

Vasilika e humbi bashkëshortin me të cilin luftoi kaq shumë për të qënë e lumtur me të dhe familjen e tij, po jo vazhdimësinë e jetës. Shtatzania e sapongjizur është grishje e pasionit për jetën.

Dhe përtërihet jeta, ajo çan përpara.

Është ky një roman i atmosferës së akullt, të tendosur dhe aksidentale, roman i atmosferës plumb që mbjell e keqja, vajtimi, por që kjo i jep dramaticitet të theksuar në ndjekjen e rrjedhës së fatit të personazheve nëpër situata të tejskajshme jetësore. Megjithë faktin, se autori shpesh nëpër situata instalon nota sentimentale, por janë pikërisht këto që ia shtojnë

komunikueshmërinë me një shtresë të gjërë lexuesish. Kjo nuk e dëmton rrjedhën e romanit. Ky roman është një përpjekje e suksesshme për ta letrarizuar realitetin plot trishtim e ankth në jetët tona. Kjo nuk është thjesht një histori familjare apo krahinore, po dhe histori e dashurisë , e vëllazërimit, e mirëkuptimit, e bashkimit , tolerancës së letrarizuar, por që prek deri në majat e tragjedive njerëzore, të gjithëkohëshmen.

REDAKTORJA

LEJLA GORISHTI