Të plakemi, s’mundemi!Kristo Çipa


Kristo Çipa

Të plakemi punon koha

Ora na largon

Lisat në brinjë i godet lloha

Dimri i reh dhe i zhvesh

Pranvera i zbukuron.

Ne brenda teshave firohemi

Në rudha depozitojmë bukurinë

Ngjyrën e vendit vjedh fytyra

Si dhelpra rushin, aguridhe

E quajmë rininë!

Të plakemi punon koha

Ora na largon

Por humnera e brezave

Që goditi vëndin tim

Na vënd qëndron.

Pas nesh fije brezash

Por shtresë nuk ka

U shkërmoqën drejt të panjohurës

Së adhuruar

As u sosën, as u kthyen

Gjer në palcë u gënjyen!

“ S’mund të plakeni!”-thotë koha

Rrini aty! Më duheni!”

Ne s’kuptojmë ç’bëjmë

Të rinohemi, s’mundemi!

Si lisat tundemi

Gjysëm zhveshur, gjysëm zbukuruar

Të shkëmbtë e të hutuar

Rrudhën e shekullit tendosim!