Testamenti vargëror që na duhet në breza:Namik Selmani


Meditim mbi ribotimin e librit ALBUM i Fan Nolit botuar në kujdesin e Presidentit të Shoqatës së Shkrimtaëve Shqiptaro-Amerikanë Adnan Mehmeti
Nga Namik Selmani, shkrimtar
Në traditën shqiptare e atë botërore përkujtimi i ditës së largimit nga jeta i një njeriu, qoftë në një jubile të caktuar apo në një vit të zakonshëm, bëhet me një ceremonial të caktuar e gati të njëjtë.
Ka fjalë kujtese, lule që shkojnë te varri, rroba zezonash, pak më shumë heshtje nderimi, kthim nostalgjik në kujtimet e veprat që ai ka lënë pas vetes.
Bota e madhe e përcjelljes së jetës në breza ka gjetur shpeshherë edhe një ceremonial juridik që në gjuhën e ligjit quhet “testament” ku marrin pjesë të paktën dy breza. Mbase dhe dëshmitarë ligjorë
Në etnografinë shqiptare është quajtur “Amanet” ku pa noterë, pa firma, pa vula të thata e të njoma, pa juristë e avokatë, dëgjonin një porosi të një brezi të moshuar që po kapërcenin pragun e jetës së gjallë. Një brez që po ikte nga jeta iu fliste me gjuhën e ligjit të gjallëve.
Mund të ishte gjyshi, nëna, babai, xhaxhai…
Mbase lihej një shtëpi, një fëmijë që duhej të martohej, një copë tokë që do punohej nga të tjerë duar, një kalë, një nder që duhej mbajtur edhe pas largimit të tyre nga jeta.
Një relike e shtrenjtë që duhej ruajtur, duhej trashëguar
I përndrituri Fan Noli nuk kishte nevojë që ta bënte një gjë të tillë, po ai na la një pasuri të vyer si vëllimin e tij petik ALBUM
Edhe “Autobiografia” e tij që është një kulm i eseistikës shqiptare, i bënte jehonë viteve të kombit të tij, të jetës së tij, po në asnjë rast nuk mori pamjen e një Testamenti a të një Amaneti.
Libri “Album” i Nolit ka një simbolikë të veçantë që na kujton fotografitë e jetës sonë të një qyteti në ndryshim, të një kohe lufte apo sundimi.
Në kohët moderne ajo ka dhe simbolikën e një albumi muzikor me këngët më të mira të një artisti, të një brezi.
Mos harroni se edhe vetë Nolin në moshën 53-vjeçare do të mbaronte në Boston Konservatorin për Muzikë.
Ishte koha kur ai rreshtonte dhe vargjet e këtij libri që sot e kemi në duar edhe këtu në Boston, në Amerikë.
Me ribotimin e librit me poezi ALBUM të autorit tonë të shquar, themeluesit të Federatës Panshqiptare VATRA në Masacuset, ka ndodhur ndryshe. Krejt ndryshe.
Ai ishte dhe mbeti Mik i mençur i gjithë familjeve shqiptare të Bostonit e të mbarë Amerikës.
Ai mbeti si një mentar dhe frymëzues i gjithë atyre që kanë lidhur jetën dhe të ardhmen me këtë vend.
Këtu ai jetoi për mjaft vite, madje dhe një pjesë e madhe e poezive të tij dhe përkthimin e kryepoetëve më të mëdhenj të botës për atë kohë, mbajnë vulën e kohës që ai jetoi këtu dhe i shërbeu me zell edhe besimtarëve shqiptarë. Atyre besimtarëve që panë te Kisha e Shën Gjergjit, ose më thjesht Kisha e Fan Nolit, jo vetëm një objekt kulti, por dhe një vatër të fuqishme të kujtesës kombëtare, të vazhdimit të traditave më të vyera të patriotizmit.
Ishin dhe këto tradita që ai do i shfaqte dhe në këtë libër me poezi që po promovohet në Muajin Nolian si e quajmë në Amerikë marsin, kur ai u nda nga jeta më 1965.
Këtë privilegj e kanë ata shkrimtarë shqiptaro-amerikanë që e kanë mbrujtur bukën e fjalës së tyre në magjen e gjuhës shqipe. Dhe ai, Noli, mbeti kalorësi më fisnik i gjithë shqiptarëve të kohës kur ai jetoi deri në ditët tona.
Ka mjaft mënyra për ta përkujtuar Nolin. Një meshë madhështore nën tigujt solemnë të këmbanave për të. Një Akademi Noliane për mentarinë e vet që në çdo kohë çel filizë të rinj.
Një film i ri për atë jetë kaq të vrullshme të tij në Shqipëri, Evropë, Amerikë.
Një monografi e re për atë jetë të gjatë në shërbim të Kombit.
Por u zgjodh më e veçanta me këtë ceremoni. Pas 75 viteve nga ai vit i largët 1948, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në kujdesin e drejtpërdrejtë të Presidentit të saj dhe botuesit të Shtëpisë Botuese ADRIATIC PRESS zotit Adnan Mehmetit po bëhet ribotimi i këtij libri pikërisht në Amerikë, në Boston, në bashkëpunim me zonjën Neka Doko që drejton Bibliotekën e Nolit dhe studiuesen Arjeta Ferlushkaj Kotrri
Janë ta paktën dy arësye madhore:
-Vepra e tij ALBUM ishte ribotuar në Prishtinë në Tiranë, po jo në Amerikë ku ai kaloi mjaft vite aktive të jetës.
-Mençuria e Nolit dhe e atyre që projektojnë të ardhmen e kombit të tyre, shprehet shumë mirë në veprën e tyre letrare.
Po, Noli ishte zëri ynë dhe zëri i së ardhmes.
Heshtni një çast! Dëgjoni jehonën e zëri t tij të ëmbël melodioz, oratorik në këtë sallë, në këto poltrona, në këto kolonada, pranë altarit ku ai bekoi për ditë dhe të ardhmen e kombit të vet, të kombit tonë.
Vargjet e tij, mesazhet që ai na përcjell në breza është një jehonë më e madhe se gjëmimi i këmbanave së kishës së Shën Gjergjit ku ai kaloi pragun me dhjetra vite me radhë.
Atje ku ai mbeti besnik i grigjës së besimtarëve të shqiptarëve të Bostonit e të Amerikës.
Ishte një këmbanë që jehonte shumë fort e ëmbëlsisht, pse jo dhe shenjtërisht edhe në veshët tanë në zemrat tona në ditët që ne jetonim.
Atëherë po jo më pak dhe tani ne jemi të uritur për drejtësi sociale, për begati tryezash apo për bashkim shpirtërash.
Në një ditë si promovimi i një librit, në mënyrë të natyrshme ne na lind pyetja: “Ç’do të bëhet me këtë libër? A mbaron puna në këtë ditë sado ceremoniale qoftë ajo me sa e sa buzëqeshje njerëzore e festive që të jep dalja e një libri? Ç’do të bëhet më tej?”
Këtë pyetje doja ta bëja dhe unë e, për rastësi, do të doja të jepja vetë disa përgjigje për të
Është e bukur dhe mjaft motivues që zoti Adnan Mehmeti si nismëtar i parë për botimin e këtij libri, na e solli në duart e në bibliotekat tona. Për këtë ai meriton Mirënjohjen më të madhe.
Një mirënjohje që nuk i përketet vetëm një individi po mbarë një kombit që e ngjzi këtë shpirt kaq human e këtë njeri kaq të mençur.
Nëse nuk do të kishim mundësi kohore dhe financiare që të bëhen promovime të tilla kaq mbresëlënëse në mjediset e qytetevë amerikane ku ka shumë shqiptarë, do të thoja që libri duhet të ishte pjesë e bibilotekave të shoqatave shqiptare, të shkollave shqipe në Amerikë që kanë krijuar traditën e tyre edhe në shpërndarjen e librit shqip.
Në një kohë të caktuar do të ishte mirë që libri të promovohej edhe në Tiranë, Korçë, Shkodër, Berat. Nuk është vetëm detyra e secilit shkrimtar e studiues të veprës së Nolit po që të njihet edhe më mirë mesazhi i poezisë së tij që ia kalon dhjetra testementeve
Një ide tjetër do të ishte dhe një videoklip me poezitë më të mira të vëllimit të recituara nga aktorë shqiptarë që sot i gjen anembanë Amerikës, natyrisht edhe në regjinë e një regjisori të njohur të këtij lloji. Mjaft biznensmenë mund të afohen e ta kenë për nder një gjë të tillë që do të ishte dhe një vepër humane për brezat shqiptarë që jetojnë në Amerikë.
Është një gjë e bukur që ribotimi i librit të Nolit vjen nga një risi që ne e kemi promovuar vite më parë. Aso kohe Shoqata do jepte për herë të parë një Çmim që të kishte emblemën e këtij emri të madh, të këtij diplomati e poeti. Dhe ky nderi takoi shkrimtares tashmë të ndjerë Rozi Theothari që e kishte lidhur një pjesë të jetës së saj me studimin e Nolit, me poezinë me letërsinë, me Bostonin.
Më shumë nisma fare mirë mund ta merrte në organizim dhe Biblioteka “Fan Noli’ që në vite ka bërë një punë mjaft të vyer për arkivimin e veprave të Nolit.
Poezia e Nolit është histori. Një histori që kthehet në poezi.
Noli erdhi në jetë kur u nda nga jeta një nga poetët më të mëdhenj modernë amerikanë Longfelloi
Në të gjallë të tij ai do shkruante për Skënderbeun e shumë vite më vonë vetë Noli do ta shqipëronte si dinte vetëm ai, këtë poet amerikan që ishte po aq sa dhe shqiptar.
Edhe pse kishte veshur veladonin e një prifti kaq të devotshëm në detyrën që ai bënte, ai mbeti edhe si poet i madh. Fan Noli u nda nga jeta në një mars pranveror në Boston ku pranvera është paksa e vonuar. Ai na la pas një NOLIADË, para së cilës duhet të ulemi me nderim.
Dhe bashkë me lavdinë e kësaj poezie ai u ngjit në majën përkthimit të veprave në shqip që do na bënte edhe sot e kësaj dite kaq krenarë për këtë pasuri që ai na la pas vetes.
Mjaft poezi të përkthyera në vëllimin ALBUM na e nxorrën këtë talent
Ai nuk vrapoi pas konkurseve, pas tribunave poetike, edhe pse në atë kohë edhe në SHBA ishte e gjallë fryma e garës.
Po të ishte gjallë sot Noli me modestinë e jashtëzakonshme që ai kishte, pa dyshim do ta ndante një pjesë të lavdisë së tij edhe me një nga prozatorët më të mëdhenj shqiptarë të gjithë kohërave Mitrush Kuteli që ka bërë një ese mjaft të bukur, profesionale gjer në detajet më të holla të poezisë noliane.
Rizgjimi i poezisë së Nolit më këtë libër është një festë, është përkujtimi më mirënjohës, më i bukur, e më i veçantë.
Para një libri të tillë nuk ka kombe të mëdhenj e të vegjël. Edhe popuj të vegjël në numër si janë shqiptarët përballë Amerikës së madhe, mund të nxjerrin figura të ndritura që ishin e mbeten si ura mes kombeve.
Fan Noli me këtë libër shfaqet si një kapiten i sprovuar i shkronjëshqipes. Me ligjërimin e ngrohtë të saj, ai ka ftuar në Sofrën e Fjalës Serevantesin dhe Shekspirin. Khajamin dhe Longfellonë, ka thirrur Eskilin e Edgar Poen. Është në të njëjtën kohë Maratonomak, Bunë, Seman. Është Elbë dhe Rin, Vjosë, Drin e Shkumbin, Shpresë e Danub me një ëndërr që trojet tona të ishin të lira e të begata.
Edhe pse tradita e letërsisë artistike, nuk ishte fort e pasur në kohën e tij, ai na solli një larmi formash artistike. Nëse e lexojmë poezinë e tij nga ky kënd, shohim se gati asnjë poezi nuk i ngjan tjetrës në ndërtimin e saj
Me një tharm të dukshëm atdhetar, ai na ka sjellë përherë të freskët dhe sot mesazhin e atdhedashurisë tek poezia e tij “Jepni për nënën!”
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, nëna jonë e vyer.
Që me dritë e nder të thurësh
Dhe me bijtë e tu të mburresh.
Duket se në këtë poezi ai sikur e ka ngritur në majën më të lartë idenë se të duash atdheun tënd, nuk mjafton vetëm të jesh fizikisht në atë truall, po edhe nga larg je pjesë e tij.
Le ta mirëpresim ALBUMIN në këtë strehë të shenjtë!
Boston, 26 mars 2023