Tragjedia e motres Hajrie(2):Nga Boris Miska


Vijon sërish tregimi :Tragjedia e motres Hajrie, pjesë nga libri:” Humor në prush“.

Boris Miska

…Veç mureve të kafenesë në qarshi askush nuk dinte ta thoshte çfarë kishte ndodhur aty brenda!
Të gjithë hamendësonin, thurnin ngjarjen e vet, e këndonin ndryshe.
Ishte si një dramë e shfaqur në errësirë, pa aktorë, pa zë, pa dialog, pa efekte zanore, pa tekst, e vetme në skenë e pandriçuar ishte heshtja, e fshehta, fantazia, e pandodhura, e humbur në kufijtë e harresës. Dekada më pas fati i tregimit të kaluar do i besohej vetëm Kreshnikut, ai s’kishte asnjë lidhje me të, ishte i paanë, i ftohtë, pa interesa, profesionist, historian me formim i cili baladën e pati ndeshur rastësisht siç sheh një djalë i ri vajzën diku duke ecur në rrugë.
E ndoqi pas, ra në sevda me vashën, e bëri të vetën, i hoqi teshat e mykura dhe i veshin të tjera, po të asaj kohe, por të dalë prej syndyqesh me aromën e qëndrimit gjatë larg dritës, strukur në arkë, paveshur në trupin e kërkujt.
Studjuesi i ri hyri sërish në analizë!
Kishte ecur larg, atje ku e pati synuar në majë, tek qafa e pazarit, i duhej sërisht të ulej, ta rregullonte frymëmarrjen, ta ftohte ca ngutjen e shkrimit.
Kjo do i bënte mirë, do e ndihmonte, ishte si një udhëtar që kishte rrugëtuar shumë, i duhej të qën- dronte, të freskohej, të konsumonte ushqim për ta marrë pak veten, ta kthente faqoren me pijen energjike, të nxirrte kutinë e duhanit ta dridhte një cigare, vetëm kjo do e qetësonte.
Jeta ishte si politika, kishte përplasje por edhe marrëveshje, jo kurdoherë përdorej egërsia për të zgjidhur një konflikt. Para s’e gishti të shkonte tek çarku i shkrehjes duhej konsumuar mendje, biseda, kohë, kuvende, duhan, kafe, urtësi, pajtime. Duheshin peshuar interesa, larguar sherre, fashitur me lidhje miqësore, krushqi, neutralizime, këmbime mallrash e gjëje të gjallë.
Kreshniku ishte kapur fort tek ligjësitë e historisë, kahjeve të ndërsjella që të shpjegonin të tashmen me të kaluarën, por njëkohësisht mund ta ndriçonin të shkuarën përmes ngjarjeve të freskëta të ditëve të sotme.
Zakonet, traditat janë kokëforta, nuk ndryshojnë kollaj, duken sikur kanë vdekur, por në një moment rishfaqen, të përsëriten, qoftë të tjetërsuara, të përçudnuara, me të tjerë personazhe, në vend të tjera, në mote të tjera, por në thelb mbeten po ato. Ngjajnë shumë, janë anë të së njejtës medalje, modernes dhe të vjetrës, të resë e të konsumuarës.
Historiani i ri ishte i bindur që aty brenda kafesë tek ‘qafa e qarshisë’ ishte negocuar, debatuar gjatë, ishte bërë pazar, ishte peshuar çdo gjë me kujdes.
Çfarë do ndodhte nëse Halili në radhën e gjakmarrjes do e shkrehte pushkën!
Do i merrte jetën Agës që e kish tanuar atje ku nuk mbahej më, në nder, tek motra, familja, apo përfitimet që do nxirrnin të dy palët nga vetëpajtimi, zbutja e gjakrave, lidhja e miqësisë!
Të dy burrat ishin në hall!
Halilit i duhej ta vinte nderin në vend ta zbatonte kanunin, ta vriste rrëmbyesin, ç’nderuesin, ndërsa Beqir Agës i duhej vetëm të mbijetonte.
Mes tyre qëndronte vasha e bukur, motra Hajrie, vajza e ç’virgjeruar, e askujt, as motër as grua, ajo nuk vritej për gjak, kanuni e përjashtonte, fajin e shlyenin burrat, ajo ngjante si një gjyle e pashpërthyer ndër këmbët e tyre.
Cuca e Gashëve nuk mund të kthej më në shtëpinë e prindërve, turpin e saj nuk e nxinte kulla, as fshati, as krahina. Askush nuk do e pranonte, ajo mund të largohej e kthyer në grua e përdalë, me flokët e masakruara prej gërshanëve ndëshkuese, të braktisej diku larg në harrim, por kurrë se si aty ku kishte lerë e vajzëruar.
As Beqir Aga s’mund ta justifikonte para të vetëve mbajtjen e Hajries për grua në shtëpinë e tij, kthimin e saj në pjestare të familjes, frymë e shtuar. Nuk e kishin kërkuar sipas rregullit të pashkruar dorën e saj, askush s’u kishte dhënë fjalën, nuk kishte shkes. Ajo ishte tashmë një grua pa nder, në rast se martohej me të ai do e gjente pa virgjeri, i duhej ta vriste, ishte një rast që dilte jashtë dimensionit të ligjeve kanunore, me gjasë as pleqtë e urtë të krahinave s’do arrinin dot t’i jepnin zgjidhje një pështjellimi të tillë. Çdo gjë ishte në dorën e gjakësit, atij që kishte radhën e shkrepjes së pushkës, ndaj këtë moment djali i ri në ëndrra akoma të pafikura, mendoi ta kthente në mbarësi, në favor të tij.
Do i falte jetën Beqir Agës së pasur por me një kusht që ai të martohej me Hajrien, të lidhte miqësi të përjetshme me Halil Gashin, do ishin një besë, do përfitonte pasuri prej parave që atij i duhej ta paguante për nuses së re dhe pajën e saj.
Ngjarja i kishte ardhur në dorë si fat i kërkuar, pse duhej ta prishte, të bënte marrina!
I lypej pak tolerancë, ftohje, mirëkuptim, ta kthente krimin në interes, të përfitonte prej tij, ishte momenti që ai të çlirohej nga turpi, të bëhej dikushi.
Ta hidhte peshën e hallit tjetër kund, fisheku, krisma tash mund të dilte veç prej pushkës së dhëndrit. Edhe Beqir Aga ishte menduar gjatë me ofertën e Halil Gashit fiksuar mbi tavolinë, rrinte i dyzuar midis vdekjes fatale dhe pranimit të jetës me kushte. Nuk kishte mundësi zgjedhje tjetër!
Kanuni nuk e përjshtonte nga shpagimi edhe pse ishte i pasur, nuk klasifikohej në ato burra që ‘nuk vriteshin për gjak’, ishte kthyer i zakonshëm, i vdekshëm, kishte shpërdoruar pushtet, kishte rënë në kurthin e shfryerjes se dëshirave, ndoshta në magjinë e dashurisë, ishte zënë në lakun e moralit të trazuar, i kish mbetur shumë pak kohë jetë, ishte në dorë të djalit të varfër.
Vetja i tha ta pranojë, je i ri, nuk do vdesësh!
Por s’do kishte dhëndërim, nuk do bënte dasëm, dikush i pati prurë pak pajë, me siguri aty do i kishin futur një fishek brenda teshave, tek të linjtat e nuses. Në rast se e gjente gruan pa nder edhe pse e deshte me shpirt do i duhej ta vriste, nuk do kishte beze të bardhë varur me provën në njollën e gjakut, zakoni i’a lejonte vrasjen, askush s’do i kërkonte llogari, ishte çështje e tij, vetëm e tij.
Do i duhej ta flinte natën e parë me nusen e re, me atë vajzë që kishte bërë dashuri tre netë pa gjumë, pa dalë nga oda, i panginjur.
Ishte e njejta femër, dikur vashë e njomë, tash e kthyer në plaçkë, mall, këmbim, grua e përdorur, nder i turbulluar.
Halili ishte treguar i zgjuar, ia kishte arritur qëllimit! Aga rrinte aty ende në mendime duke dyshuar se mos kjo ishte e gjitha një lojë e kurdisur me mjeshtëri.
Ai para disa javësh i’a kishte refuzuar Halilit kërkesën për një tokë, diku më lart se bregorja papjellore që ai kishte të tijën.
Nuk e kishte ndihmuar, as dhënë borxh, ishte treguar pa ndjenjë pa dhimshuri, i egër, sundues, i pëlqente t’i luteshin, t’i qaheshin, t’i zvarriste, ndryshe s’kishte si i nënshtronte. Varfëria ishte arma e vetem që ai nuk u’a merrte kurrë nga dora malësoreve, ajo nuk e rrezikonte.
Tani ujrat rrodhën ndryshe!
I duhej ta bente mik Halil Gashin, ta kthente në kunat, në dajë të fëmijëve të tij, t’i jepte para, ta mëkëmbte, ta bënte me emër, ta lehtësonte nga ikja e motrës me turp prej kullës, të merrte mbi vete zgjidhjen e pazgjidhshme…
(Vijon)