Vallëzoj-Fatmir R Gjata


Vallëzoj sipër një reje të mbështjellë fort në gji

Sillen rreth katër ëngjëj me ca veshje ngjyrë flori

E nga larg ndiej violina, kush e sjell muzikë të mirë

Po këndojnë për lumturinë a këndojnë për mëshirë.

Vallëzoj në shesh të gjërë, katër vajza më vijnë pranë

Hoxhë zë lutet mbi minare, përmbi kishë bie kambanë

Shatërvanët rrjedhin ujë, mbi pëllëmbë e marr një pikë

Gjysmën pi me buzë të tharë gjysmën tjetër mbi qerpikë.

Vallëzoj pranë disa varresh, katër pleq më ulen rreth

Nuk po vjen pranverë akoma nëpër pemë nuk ka gjeth

E më shohin dëshpëruar sepse kohë mbaron pas pak

Krehin flokë të zbardhëlluar mbi fytyrën e pagjak.

Vallëzoj me hap ngrirë por çfarë vëndi është këtu

Katër hije vijnë vërdallë ndaj hedh hapat kuturu

Le të vijnë bashkë me mua, ku do shkojmë nuk e di

Hijet treten edhe shfaqen katër ëngjëjt ngjyrë flori.