Vaso Papaj:“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”


Vaso Papaj:“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”
Ca jetojnë nëpër barraka,
vilat ca s’dinë ku i kanë.
Cave peshku i vjen me arka,
ca dhe bukën han me gram.
Ca kanë vapë nëpër pishina,
ca shtëpinë e kanë pa ujë.
Ka që blejnë gjer ç’ ka vitrina,
ca pse lypin bëjnë aq bujë.
Ca shtëpinë në lloto humbin,
ca një shtrat nuk kanë përjetë.
Ca për paqen po luftojnë,
paqe s’kanë në shtëpin’ e vet.
Ca kërkojnë pensione lufte,
kur s’kanë mbushur shtatëdhjetë.
Ca mbajn’ frymën me një qindëshe,
ndonse derdhën djersë një jetë.
Ca që thone:” Kapni hajdutin”,
antifurte kanë nga dhjetë.
S’i zë gjumi natë e ditë,
mbrojnë ç’rrëmbyen tërë këto vjet.
Ca me qumësht vetëm lahen,
ca për foshnjet s’kan’ një gotë.
Disa zemër nuk kanë fare,
ca veç zemra gjuajnë sot.
Ca ndërtojnë në tokat arë
dhe kërkojnë bukë në Pazar.
Ca ndërtojnë brenda në det,
që ta pijnë dhe detin vet.
Disa bëjnë duva dhe lutje
dhe moralin flakin tutje.
Ca lexojnë te dora fatin,
dyqint n’orë me Benzin kapin.
Këto, Kroninin më kujtojnë,
“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”