Viktoria Xhako:Pushoji ato kambana


Viktoria Xhako

:Pushoji ato kambana

Të trishtuara mëngjese gri,

Mesdita diell sypërlotur,

Muzgje, që supeve më varen gjarpërinj.

Ankthi mbrëmjen pret,

Të zbresë pret natën e ngrysur.

Ajo, si përherë.

Dhe kambanat bien, bien…

Do ta njohësh, më the, trokitjen time,

Nëse gjumi letargjik qepallat s’t’i ka ngjitur,

E do mund të dalësh në pragun e agimit.

Trokitjen ta ndiej, një herë, dy, tri, po nuk guxoj derën ta hap,

Më tremb, i dashur, lukunia e dyshimeve pas saj.

Ty nuk të shoh,

Më pengon mjegulla e lagësht që më ftoh flokët,

E kjo natë si buzë humnere, ku kam tmerrësisht frikë këmbën ta vendos,

Jo se mos rrokullisem, po ty mos të të humbas duke rënë.

Nuk dua me sytë e qiellit të të shoh, oh, jo, jo! Nuk dua!

Prandaj nga dëshpërimi i pritjes nuk dal, por pres, pres…

Me besimin se ti e di rrugën e vetme.

Shpejto, i dashur!

Oh, ato kambana!

Me blunë e syve të tu,

Pengoje ardhjen gri të këtij mëngjesi,

Që nuk e heq dhe mbështjellë vjen me pallton e zezë të natës,

Si përherë.

Ti eja, faqeditëve t’u japësh ngjyrën e jetës,

Shpalose mbi ne të dy kaltërsinë e dashurisë.

Dhe pushoji, më në fund, ato kambana të zeza, të çakorduara, histerike.

Pushoji, më në fund!

Lërmë të qaj në supin tënd qetësisht!

E martë 2 korrik 2013 ora 20:45

 (ZHORZH SAND)

“BUKË E HIDHUR” botuar në maj 2014