Tashmë
Tashmë
Në shtëpinë time je një hije,
Natyrë mort e varur në mur.
Je një lëngim poezie,
Varg i pashkruar kurrë..
Tashmë
Për ty ndodhem larg
Dhe rrugët më nuk më gjejnë.
Nuk më ndërrojnë më zemrën,
As lotët lumenj.
Tashmë
Je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
Një e re, mbetur e vjetër,
Një i prishuri kandar.
Tashmë
Një vështrim skajit i kyçur,
Në jetën time një dyshim.
Një menteshë porte e ndryshkur,
Lule e tharë në kopshtin tim.
E tashmë
Dhe zjarr i shuar.
Sa jetuam bashkë, u dogj.
Një lëngim kthyer në lutje,
Frut që stinës kurrë s’u poq!
