Venetike Cako:Me lulet të ngjanim


ME LULET TË NGJANIM

Sa doja si lule livadhi të ishim,

Ashtu, ne njerëzit, të lirë, të gëzuar,

Tej në humnerë shamitë të hidhnim,

Nga lotët e hidhur aq shumë rënduar.

Me lulet të ngjanim, pa lotë e dredhi,

Lëndinave të çelnim aromë pa kufi,

Të zhvishej njeriu nga fjala ligësi,

Në çdo zemër të mbillej veç “dashuri”

Në magji ëndrrash të kalonim kohën,

Nga mëkatet të xhvishej njerëzia në botë,

Të qeshej si dielli që ëmbël puth tokën,

Me lulet të ngjanim, pa vaje, pa lotë.