Vetëmburrja-Faslli Canaj


Faslli Canaj

(Balada e Njëshit)

Jam dhe shkronja , jam dhe fjala,

Jam e zeza dhe e bardha,

Jam e folura dhe e shkruara,

Jam e djeshmja dhe e shkuara,

Si gjerdan më ndrin e sotmja,

Fjala ime është jotja.

Jam i vjetri dhe i riu,

Mos harroni:

Jam GJENIU.

Jam i gjati, i drejti, i holli,

Jam shtëpia dhe oborri,

Jam ekrani, jam shikuesi,

Jam folësi dhe dëgjuesi.

Mos më thuaj mendjemadhësi,

Fjalëlumë jam, bukuri.

Mos më quani fjalërrena,

Rrenat i kam plot me gjemba.

A s’thotë gjembi jam majëthumbi.

Janë si UNË: heshta dhe plumbi,

Janë dhe gozhda dhe raketa,

S’rron e drejta pa gënjeshtra.

Më besoni, shumë nuk shpojnë

Alkool, pambuk të fërkojnë

Si qirinj mbi tortë ndriçojnë

Unë një fjalë dhe ju pa gojë.

Jam Ai, që mirë s’e njihni,

Shqyeni sytë, mirë t’ më shihni!

Mbani mend që jam gjithkushi,

Para meje, ju, askushi.

Asnjë pikë nuk ka rëndësi

Ç’mendon ti, apo ai.

Fjala juaj zero mbetet,

Si vesa nga dielli tretet

Çfarë them UNË ndrin si ar.

Shihni, jam margaritar?

Unë jam mjek, njerëz shëroj,

Nga ekrani kur vështroj,

Jam mësues dhe profesor,

Jam dhe spiker, orator,

I veçantë si doktor,

Një të dytë s’gjen si aktor

Vet bëj pyetje, kthej përgjigje,

Ironoj, a qaj me ligje,

Dhe buzëqesh kur dua UNË

E mbush gotën me furtunë,

Dallgët i lë krejt pa shkumë.

Pellgun e bëj oqean,

Botën në gishta e mbaj.

Hej, ti, djalkë gazetar,

Nuk di ty ku të kam parë?

Je çunak që veç pi dhallë.

Mos harro, mbaje vesh mirë,

Jam UNË media e arrirë

Po s’qesh unë ti s’del këtu

Ndryshe s’je veç thjesht një hu.

Të gjithë më bini në gjunjë!

Ç’jeni ju? Veç thjesht ca hunj.

U ngul, shkul si dua unë,

Dhe Mesinë e marrë në punë.

S’ka poet apo shkrimtar,

Të thurë si unë varg e radhë,

S’ka shkencëtar të rrijë përballë

E zhys thellë, e mbys, s’e lag.

Jam i rrallë si artist,

Dhe pasqyrë për çdo sportist,

Luaj me ngjyrat si di vet,

Luaj në piano, klarinetë,

Njoh krejt veglat përmbi dhe`

Fyellit dhe pa vrimë i bie.

Njerëz më dëgjoni mirë,

Natën s’e lë që të gdhijë,

Që të ngryset ditën ndal,

Dimrin në daç bëj behar,

Popullin majë gishtash e luaj,

Popël për vete e quaj,

Si vet dua e vërtit,

E bëj çorbë pa një brez kripë,

Rrotulloj si të jetë lodër,

Si fëmijët që luajnë me gogël,

Si të vjellurën në banjë flak,

Më ndot gojën, bën farmak.

Thatë ju lodha, ju mërzita?

Sy më sy jam nga përdita

Botën vërtit nëpër gishta

Zbuloj, shtoj unë galaktika,

I sit yjet rënë prej qielli,

I trazoj me maja` dielli.

Dhe e dini ç’bukë të ëmbël?!

Ju, s’e kini parë as ëndërr.

Doni emrin e vërtetë?

Kongresmen, deputet,

Thjesht, thjesht emrin e kam,

Thjesht, thjesht, thjesht:

Poooliiitiiikaaan.