Zbrit ti engjëll që nga qielli-Sheqere Sina


(Vëllait)

Të kujtoj, më zhurit malli,

një si therje zemra ndien.

Më rrjedh loti, përrua mali,

meket goja, shkon e vjen.

Brenda shpirtit hodhe rrënjë.

Helm mëlçia më pikon.

Më ke thënë e ç’më ke thënë,

vjen e shkon, më përqafon.

Rri në trup një flakë e ndezur.

Është sëmundja e pabesë.

Zgjohet si gjarpër i fjetur,

dhe pickon që të të vdesë.

Do të vij dhe unë një ditë,

plot me dritë do të jem e gjitha.

Më dërgo, vëlla, pak dritë!

T’i gëzoj, ç’linda e rrita.

Ti je engjëll, që nga qielli,

Zbrit këtu herë pas here,

Më ndriço si rreze dielli,

Përtërimë si vrull pranvere.