Zjarr zemre-Vaso Papaj


Vaso Papaj

Me gur godas dritën e rrugës.

S’e dua më, në djall të shkojë .

Dua një dush nga rreze e hënës,

Nga gjum i dimrit të më zgjoj.

E mbyllur do t’i mbaj kujtimet

Se dhimbje vetes s’do t’i shtoj!

Ti botën mbylle brenda syve.

Në sytë e tua ta kërkoj.

Se sytë e tua i kam si qiell,

Liri kur dua, aty humbas.

Po sonte portën mbylle, mbylle!

Kushdo, sido që të trokas’.

Zjarrin që kam në zemrën time,

Ta mbaj këtu, ta ndaj me ty.

E errta rrugë pas portës sime,

Të mos na ndajë kurrë ne të dy.

Seç po lodron në mur një flakë.

(E ndezi zjarri, zemra jonë.)

Ca ujq të çmendur në oxhak,

Duan të shuajnë ëndrrën tonë.

Dhe flakët nëpër mur lëpihen

E ngjiten lart nëpër oxhak.

Të çmendur ujqit seç përpihen…

Në xham trokasin dy trumcakë.

Ky zjarr që kam në zemër vlon.

Do t’doja shumë ta ndaj’ me ty.

E errta rrugë pas portës sonë,

Kurrë mos na ndante ne të dy.