“Zojes së Kalasë”1989-Zef Staku


“Zojes së Kalasë”

Thonë ke ikur,
larg je mërguar!…
Jo, Zoja e Shkodrës
askund s’ke shkuar.

Atje tek detit
Ka shkuar ikona
Zojë e kalasë
je në zemrat tona!…

U pa ndër shekuj,
shihet dhe sot:
nga zemrat tona
Ti s’iken dot!

Kush pat si ne
vuajtje pa’ mas?….
Kush na dha forcë?…
Zoja e kalasë!

Para torturash
e ndër burgime,
trimat të thirrën
“O Zoja e ime”!

Ball pushkatimit
Ty t’kishin n’gojë;
fjalët e fundit:
“N’dor tënde Zojë”!

Ndër përdhunime
ditë e per ditë,
n’terr t’ diktatures
kush na jep dritë?

Ndaj përtej detit
Ka shkuar ikona;
Zojë e kalasë
je n’zemrat tona!….

Idetë e liga,
Zojë, na pllakosen,
Kishat e tua
tëra u rroposen.

Thua se s’qenë
djep i lirisë,
thua su bënë
mbrojë e Shqipërisë :

Thua dëm prej tyre
pati atdheu
thua s’qe falur
n’to Skenderbeu:

Por ani Zojë,
Uratë ne themi
si kishat e tua
zemrat i kemi.

Ty t’kerkojmë ndihmë
në cdo të vështirë,
Ti na jep Zojë
kshillën e mirë.

Se përtej detit
Ka shkuar ikona
Zojë e kalasë
je n’zemrat tona!

Ty nuk të lutet
vec krishtërimi.
Ti je o Zojë
E cdo besimi.

Cdo shqipëtar
kështu të flet:
Zojë e kalasë
kam bërë nijet”!

Te Rozafati
rrëzë asaj kodre:
Cdo ditë të hidhen
ty lule Shkodre.

Merre edhe kët lule
që ta punova,
në shpirt më lindi
ty ta kushtova.

S’do i vë nënshkrim
Emër kurrfarë:
Ta dhuron, Zojë
“Një shqipëtar”!

Ty amanet
t’lë Shqiperinë:
” O Zojë e dashtun
na kthe lirinë”!

Se përtej detit
Ka shkuar ikona
Zojë e kalasë
Je n’zemrat tona!

Shkodër 4- 9- 1989. Zef Staku 🌺

Historija e kësaj vjershe : e shkruar prej Zef Stakut , në kohën e diktaturës komuniste. Baba Zef shkonte cdo ditë te Zoja e Shkodrës me ju lutur per vuajtjet e pafund te diktaturës.Ishin vite te vështira për të gjithë shqipetarët, sidomos për popullin e Shkodrës , djepi i kulturës i lirisë dhe i fesë. Kur babà na e lexoj(Sic e kishte zakon ai, na mblidhte të gjithëve në darkë e dëgjonte opinionet e secilit) ishim të gjithë të emocionuem sepse kishte prekur ndjenjat ma të fshehuna të të gjithë ne. Pastaj vendosi ta shperdante fshehurazi në të gjithë familjet e Shkodrës 

Zojes së Kalasë”1989-Zef Staku