30 VJET OBVL, HISTORI SUKSESI-Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh*


Një enciklopedi me portrete të më shumë se 100 personaliteve të shquara, ish komandantë e drejtues të LANÇ, burgosur e internuar nga sistemi i diktaturës

 

 Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh*

  •  E krijuar para 30 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralë dhe luftëtarë, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane, minstra e zv/ministra, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneralët: Rrahman Parllaku, Nexhip Vinçani, Sadik Bekteshi e Muhamet Prodani; Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Tridhjetë vjet më parë, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) njoftonte krijimin e OBVL (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ ). Në kronikën që mban firmën e Astrit Patozit, atëhere gazetar i kësaj agjencie shtetërore, ndër të tjera shkruhet: “Grupi nismëtar për bashkimin e veteranëve të LANÇ, përfaqësues të grupeve nismëtare të rretheve dhe të asaj mase veteranësh që përkrahin nismën e bashkimit, shpallën sot në Tiranë (27 korrik 1994) krijimin e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve ë LANÇ të popullit shqiptar (OBVL), e cila ishte miratuar një javë më parë nga Ministria e Drejtësisë. Po sipas asaj kronike të ATSH: “…OBVL është patriotike, pluraliste dhe e pavarur nga asnjë parti politike, se mbron iealet e larta dhe arritjet e mëdha të LANÇ, si dhe dënon veprimtarinë përçarëse dhe diktatoriale të Enver Hoxhës.

Pikërisht duke ju përmbajtur këtij parimi themelor, në tri dekada aktivitet intensiv, OBVL u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare.

Me këtë rast, me librin e sapo botuar “30 VJET OBVL”, botim i redaksisë së gazetës “Veterani”, kemi synuar të pasqyrojmë gjërësisht dhe në detaje, pa pretenduar se kemi thënë gjithçka, punën e madhe të mbi 15 mijë veteranëve e pasardhësve të tyre, që milituan deri në vdekje dhe militojnë edhe aktualisht në këtë organizatë, në të mirë të demokracisë shqiptare dhe të së ardhmes së brezave, duke pasqyruar sa më drejt këtë luftë vigane që e renditi Shqipërinë në krahun e fitimtarëve të Luftës së II-të Botërore.

Në 80 vjetorin e çlirimit të atdheut dhe 30 vjetorin e OBVL, ky libër modest është një kontribut për të njohur të kaluarën e lavdishme, për të vlerësuar të sotmen dhe për të projektuar të ardhmen.

“30 VJET OBVL – HISTORI SUKSESI” është libri që pasqyron orientimin e drejtë të kësaj organizate dhe veprimtarinë e gjallë të saj. Në të ka përshkrime të disa jetëve njerëzore, por gjithësesi primare është vetëdija dhe besimi i veteranëve dhe pasardhësve të tyre, anëtarë të Organizatës sonë, jo vetëm në Luftë por edhe në Demokraci. Ky liber, në vetvete dëshmon faktin se organizatat dhe shoqatat politike, shoqërore, atdhetare kulturore etj, janë asete të rëndësishme, janë pasuri e kësaj shoqërie.

Pjesë e kësaj pasurie është edhe OBVL si organizatë shoqërore atdhetare..

Në këtë libër tanimë OBVL ka të dokumentuar punën e vet, ka të dokumentuar shpirtin e vet, ka të dokumentuar ambicjen e vet.

“30 VJET OBVL – HISTORI SUKSESI”, është pothuajse një enciklopedi me portrete e profile të më shumë se 100 personaliteve të shquara, ish komandantë e drejtues të LANÇ, të ekzekutuar, burgosur e internuar nga sistemi i diktaturës hoxhiste, të shkundur tashmë nga pluhuri i harresës dhe të evidentuar me tërë aktivitetin patriotik në dobi të atdheut të tyre.

 OBVL U KRIJUA NGA 64 PERSONALITETE, ISH-DREJTUES TË LANÇ, TË USHTRISË  SHQIPTARE E STRUKTURAVE TJERA QEVERITARE

Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe ndryshimet demokratike në Evropën Lindore u reflektuan edhe në Shqipëri me përmbysjen e diktaturës komuniste, duke sjellë ndryshimin e sistemit shoqëror dhe kalimin në demokracinë e bazuar në pluralizmin partiak dhe sigurimin e lirisë së njeriut.

Por, drejtuesit e shtetit të ri mbetën politikanët me prejardhje nga diktatura komuniste, më e egra në Evropën Lindore dhe rrjedhimisht qeverisja e re nuk mund të ishte plotësisht demokratike. Në këto kushte veteranët e luftës që nuk kishin marrë pjesë në krimet e PPSH dhe Enver Hoxhës, u mblodhën para 30 viteve (korrik 1994) dhe krijuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), që kishte për qëllim të mbështeste proceset demokratike dhe shtetin ligjor dhe t’i bashkonte veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar në një organizatë të vetme, për të ruajtur më mirë traditat e luftës dhe të drejtat e tyre.

Kësisoj, e krijuar para 30 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane, mnistra e zv/ministra, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, gjeneral Nexhip Vinçani; Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant – Hero i Popullit), gjeneral Muhamet Prodani, Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) është një organizatë shoqërore atdhetare. Ajo u formua që të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E.Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ.          

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ u shtri rrufeshëm në gjithë Shqipërinë. U krijuan dhe u konsoliduan degët tona në rrethet si vijon: Në Tiranë me kryetar z.Muhamar Spahiu, Korçë, me kryetar Z.Haxhi Runi, Elbasan me kryetar z.Sami Vinçani, Durrës, me kryetar z.Idriz Hoxha, Shkodër me kryetar z.Muharrem Bushati, Lushnjë me kryetar.z.Iliaz Ahmeti, Krujë me kryetar z.Fadil Veseli; Lezhë me kryetar z.Loro Gjeçi, Tropojë me kryetar z.Hamit Neziri; Fier me kryetar z.Nazif Ago, Mat me kryetar z.Ismail Muharremi, si dhe në të gjitha rrethet e vendit. Vlen të përmendet kontributi i veteranëve Fluturak Vinçani (Korçë), Genc Ballanca (Durrës), Osman Xhindoli (Shijak), Jorgji Terca (Tiranë), Xhemal Meçi (Pukë), Agim Dylgjeri(Elbasan), Ali Demushi(Shkodër) etj.

Tre vitet e fundit OBVL ka riorganizuar degët e saj në qarqet kryesore, si Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër e Dibër, në drejtimin e të cilave janë zgjedhur personalitete të njohura publike, si ish – ushtaraku Mazllum Parllaku (Tiranë); publicist dhe shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj (Durrës), studjuesi Ali Demushi me karrierë të gjatë si officer shembullor (Shkodër) mësuesi veteran, shkrimtari dhe publicist Mevlud Buci (Dibër) etj.

 KATËR PERSONALITETE TË OBVL-së “NDERI I KOMBIT

Pikërisht për rolin që ka luajtur, si mbrojtëse dhe promovuese e vlerave më të mira kombëtare shqiptare, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftrave për Liri e Pavarësi të Popullit Shqiptar (OBVL) është ndër organizatat më të vlerësuara nga institucionet shtetërore, me katër personalitete “Nderi i Kombit”. Me këtë titull të lartë të akorduar nga ish-presidentët Nishani e Meta janë vlerësuar dy kryetarët e parë të OBVL: Dr. Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, si dhe gjeneralët Nexhip Vinçani e Veli Dedi.

Ish – kryetari i OBVL, gjeneral Rrahman Parllaku, është dekoruar me titullin “SIMBOLI I QYTETIT TË TIRANËS” nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Z. Erion Veliaj, si dhe me titujt “QYTETAR NDERI” i Qarkut Kukës, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Shijak dhe i ish – komunës Kurvelesh.

Ndërkohë, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” janë dekoruar ish-themeluesit dhe drejtuesit ndër vite të kësaj organizate: Ish-nënkryetari dhe kryetari i saj, kolonel Myfit Guxholli, ish-sekretari i Përgjithshëm Edip Ohri dhe anëtarët e kryesisë: Liri Belishova e Hamit Keçi. Po ashtu, me propozimin e OBVL ju është akorduar “Dekorata e Artë e Shqiponjës” komandantit të Çetës së parë Partizane të Gollobordës, patriotit të madh me rrezatim mbarëkombëtar Ahmet Cami, si dhe ish-kuadrit të Brigadës së 18, Ismail Bara.

Në 10 vitet e fundit  janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” drejtuesit aktualë të OBVL: Sekretari i Përgjithshëm, akademik Halil Rama, nënkryetari Muharrem Gjoka dhe kryetari i Degës së OBVL Pukë, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Xhemal Meçi. 

TRI RRUGË NË TIRANË ME EMRAT E PERSONALITETEVE TË OBVL                     

Gjerdanit të artë të vlerësimeve për personalitetet e OBVL-së iu shtua dy vitet e fundit edhe emërtimi i tri rrugëve të Tiranës me emrat e gjeneral Rrahman Parllakut, Liri Belishovës dhe Edip Ohrit. Kështu, në konsiderim të propozimit të Kryesisë së OBVL, Këshilli i Bashkisë Tiranë, me Vendimin nr. 55, datë 1.6.2020 ka vendosur që rruga te Tregu Agroushqimor (pranë shkollës jopublike “Sarina” të emërtohet Rruga “Edip Ohri”, ndërsa me vendimin nr. 137, datë 05.10.2020 ka vendosur që segmenti rrugor që bashkon rrugën “Ali Demi” me rrugën “Petro Nini Luarasi” të emërtohet rruga “Gjeneral Rrahman Parllaku”, si dhe rruga që nis nga rreth rrotullimi i “Astir”-it të emërtohet rruga “Liri Belishova”.

Kësisoj, përjetësohen tre personalitete të organizatës tonë, me kontribute madhore gjatë Luftës së Dytë Botërore, në krijimin dhe konsolidimin e Ushtrisë e të Shtetit Shqiptar si dhe për themelimin e drejtimin me përkushtim të rrallë të OBVL-së.

Gjeneral Rrahman Parllaku, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, ka hyrë në histori si legjenda midis tri kohëve, i cili rrugëtimin 100-vjeçar, e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e paeksploruar plotësisht. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke i dhënë titullin “Simboli i qytetit të Tiranës”  e ka vlerësuar Parllakun si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.

LIRI BELISHOVA, gruaja që sfidoi diktaturën, ishte një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqëset kryesore të LANÇ-it dhe të pasluftës. Ajo ishte gruaja stoike që i përballoi me dinjitet sfidat e jetës. L. Belishova kishte cilësi të rralla kulturore. Portreti i saj është ai i një gruaje emblematike, të edukuar, të shkolluar, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore. Si e tillë, ajo zë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar.

EDIP OHRI – legjenda e Aviacionit Shqiptar mbetet një ndër emrat e përveçëm të figurave madhore shqiptare, mbetet kolos në kujtesën e pashlyeshme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai ka dhënë shembull të rrallë në organizimin dhe konsolidimin e strukturave të OBVLsë në Tiranë dhe në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

 ANËTARE E FEDERATAVE EUROPIANE DHE BOTËRORE TË VETERANËVE

             Faximile e anëtarësimit të OBVL në Frderatën Botërore të Veteranëve

Me një aktivitet intensiv në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, dr. Dishnica dhe gjeneral Parllaku arritën ta bëjnë OBVL-në anëtare të Federatave Evropiane dhe Botërore të Veteranëve. Me pjesëmarrjen në aktivitetet e këtyre Federatave, jo vetëm në Evropë, por edhe në Malajzi, në Johanesburg, Marok etj, OBVL-ja ka bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II-të Botërore dhe në luftërat për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që jep sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Nisur nga ky aktivitet intensive dhe vlerat që mbron e promovon, OBVL vlerësohet për orientim e drejtë, për veprimtarinë e gjallë të saj,  për vetëdijen dhe besimin e veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të organizatës, jo vetëm në luftë, por edhe në demokraci.

OBVL DHE ORGANIZATA E VETERANËVE TË LANÇ TË KOSOVËS

NË NJË FEDERATË TË PËRBASHKËT

Në një aktivitet të rëndësishëm në kuadrin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës (14 shkurt 2022) u finalizua  krijimi i Federatës Shqiptare të Veteranëve të luftrave për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Kështu, pas një pune intensive gati trevjeçare, OBVL e Shqipërisë, trashëguese e denjë e themeluesve dhe drejtuesve të saj: Dr.Ymer Dishnica – “Nderi i Kombit” e gjeneral Parllaku- “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, e themeluar dhe drejtuar nga Heroi i Popullit FADIL HOXHA-ARKITEKT I KOSOVËS SË LIRË, finalizuan krijimin e kësaj federate.

Fokusi i saj, në përbërje të të cilës janë Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës dhe OBVL të Shqipërisë, do të jetë edukimi atdhetar i rinisë, nisur nga tradita shekullore e popullit shqiptar, nga përvoja dhe programet e Federatave Botërore e Europiane të Veteranëve, si dhe në pikëpamjet e përbashkëta programore, të fokusuara në organizimin e veprimtarive të përbashkëta për: mbrojtjen e vlerave historike të popullit tonë nëpër shekuj; evidentimin dhe promovimin e ngjarjeve dhe datave historike; përkujtimin e datave të kuvendeve historike shqiptare, si Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, Konferenca e Pezës, Konferenca e Bujanit, Pavarësia e Kosovës etj.

Po ashtu, Federata do të fokusohet në përkujtimin e ditëlindjeve jubilare të heronjve, dëshmorëve, prijësve e komandantëve legjendarë të luftërave të popullit tonë, për liri e pavarësi kombëtare si dhe në kontributin për progresin e demokracisë e konsolidimin e shtetit ligjor në dy shtetet tona: Shqipëri dhe Kosovë. Pas miratimit të marrëveshjes për krijimin e Federatës Shqiptare të Veteranëve në kryesitë përkatëse, dy organizatat respektive u bënë ftesë publike për aderimin në të edhe organizatave e shoqatave të tjera të veteranëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

MBROJTËSE E FLAKTË E VLERAVE TË LIRISË

    Marrëveshje e OBVL dhe Org.Veter. LANÇ të Kosovës për krijimin

                                 e Federatës Shqiptare  të Veteranëve      

OBVL, veteranët dhe pasardhësit e tyre, anëtarë të kësaj organizate ndjehen më krenarë se kurrë me historinë e saj të suksesshme 30 vjeçare dhe angazhohen për të ecur në shembullin e themeluesve, që organizata jonë të vazhdojë të funksionojë si mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë.

Mbrojtja, propagandimi, ruajtja, mbajtja gjallë e vlerave të historisë sonë kombëtare, e veçanërisht atyre të LANÇ-it, dhe transmetimi i tyre te brezat pasardhës është dhe mbetet qëllimi themelor i OBVLsë.

Në këtë vit jubilar të 80-vjetorit të çlirimit të Atdheut, ne ndjehemi më krenarë se kurrë për faktin që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, meritë kjo e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës (OBVL) në 30 vjet veprimtari ka përmbushur misionin e saj historik, të ruajtjes, mbrojtjes e zhvillimit të vlerave të Luftës, nga më të lavdishmet për liri e pavarësi të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan, të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë.

OBVL u themelua me përmbysjen e sistemit diktatorial enverian në përputhje me frymën e përpjekjeve për bashkim të shqiptarëve, shprehur në Konferencën e Pezës dhe Marrëveshjen e Mukjes, me program e statut gjithëpërfshirës. Ajo dha një kontribut të çmuar gjatë këtyre tri dekadave të periudhës së tranzicionit të brishtë, ende të papërfunduar në RSH.

OBVL përfshiu në radhët e saj ushtarakë e veteranë të OUPLSH, të organizatave demokratike të veteranëve, shtresa veteranësh jashtë tyre dhe kreu veprimtari në lëvrimin e vlerave, të traditës e të legjislacionit, në dobi të veteranëve, të invalidëve e familjeve të dëshmorëve si dhe në hartimin e legjislacionit për këto shtresa.

OBVL, në veprimtarinë e saj u distancua nga sistemi totalitar i partisë-shtet. Ajo shtriu bashkëpunimin e saj me të gjitha shtresat, pa paragjykuar bindjet e tyre; me ata që përkrahën luftën, e mbështetën atë dhe e ndihmuan, e që sot ende nuk përfaqësohen me organizata të veçanta.OBVL ka njohur shtetin ligjor; ka bashkëpunuar me institucionet e pavarura të tij dhe ka ndërmarrë nisma në dobi të veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve.

Në veprimtarinë e saj OBVL nderoi kontributin e të përndjekurve politikë, sidomos të atyre të LANÇ e të ushtarakëve të spikatur që udhëhoqën luftën, por që padrejtësisht u pushkatuan, u burgosën, u dëbuan e internuan.

Gazeta “Veterani”, organ i OBVL pasqyroi dhe pasqyron vazhdimisht veprimtarinë e kësaj organizate dhe ka ndihmuar në realizimin e objektivave dhe detyrave të saj.   

Përveç 434 numrave të gazetës “Veterani” në këto 30 vjet, të shumta kanë qenë botimet e librave të veteranëve, të cilat jemi përpjekur ti promovojmë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

OBVL, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, ka përgatitur dhe promovuar bujshëm edhe dy dokumentarët: “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e tri kohëve” dhe “Fadil Hoxha –  Arkitekti ï Kosovës së lirë”, dokumentarë këto që janë shfaqur si për publikun në sallën e Akademisë së Shkencave Tiranë dhe nga Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH).

Në këtë 30-vjetor OBVL vjen e konsoliduar, e bashkuar dhe me energji e vendosmëri për të lëvruar më tej, pasuruar më shumë historinë reale të LANÇ dhe për të dhënë kontributin e saj real për konsolidimin e demokracisë e të shtetit ligjor, për një Shqipëri anëatre e denjë e NATO-s që ecën vendosmërisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.